2 perditesime
12:53

Avokati mbrojtës: ZPS s’po thërret personat që thuhet të jenë përgjegjës për koordinimin e hetimit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, avokati i këtij të fundit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar me personin, targat e veturës të së cilit ishin parë pranë zyrës së organizatës në kohën e dorëzimit të dokumenteve.

Ai ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së, hetuesen Zdenka Pumper nëse i është kërkuar të bëjë hetime rreth kredibilitetit të personit në fjalë, por e njëjta e ka mohuar një gjë tillë.

Avokati Rees: Zonja Pumper, kush është në dijeni brenda ZPS-së dhe është përgjegjës për të sjellë në vëmendje prokurorit të specializuar materialet që mund të sugjerojnë pafajësinë apo zbutjen e fajësisë së të akuzuarve, ose cenojnë kredibilitetin dhe besueshmërinë e provave të prokurorit të specializuar?

Dëshmitarja Pumper: Do t’ju referoj te zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar.

Avokati Rees: Zonja Pumper, sado të talentuar e punëtorë që janë zëvendësprokurori i specializuar dhe prokurori i specializuar, dhe nuk kam dyshim për këtë, ata nuk janë përgjegjës, apo jo, për hetimin e çështjeve që në fillim.

Pyetjet e avokatit Rees janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici duke thënë se janë të përsëritura dhe se dëshmitarja po pyetet rreth një intervistë pjesë e së cilës nuk ka qenë.

“Ajo është një hetuese me përvojë prej 20 vjetësh, ajo ka luajtur një rol në këtë hetim për çka të kufizuar siç thotë ajo, dhe nuk kemi mënyra të tjera si t’i qasemi këtij materiali, sepse ZPS nuk po thërret personat të cilët thuhet se janë përgjegjës për koordinimin e këtij hetimi, kështu që unë synoj ta bëj këtë dhe nëse e ka të nevojshme të kalojmë në seancë private, atëherë ta bëjmë në seancë private”, ka thënë avokati Rees.

Kundërshtimi në pyetje ka bërë që avokati Rees të kërkojë largimin e dëshmitares nga salla përkohësisht, në mënyrë që të shpjegojë për trupin gjykues rëndësinë që kanë pyetjet e tij në këtë proces.

“Nëse dëshmitarja thotë që nuk ka dijeni për këtë, kjo nuk do të thotë që unë duhet ta pranoj. Unë kam të drejtë të vazhdoj më tej, sepse mund t’i drejtohem trupit gjykues në momentin e duhur lidhur me çështjen nëse ju mendoni se ishte e besueshme që Pumper, koordinatore e hetimeve që ka 5 vjet që punon në Zyrën e Prokurorisë që kur filloi ka kryer një kontroll, të cilin do ta trajtojë, e cila ka punuar për TFHC përpara dhe ka shumë vite përvojë që më parë nga puna e saj në forcat moderne evropiane policore, të mohojë se nuk ka dijeni për qasje sistematike ndaj problemit të nxjerrjes së materialeve. Unë mund t’u drejtohem dhe t’u them që kjo është plotësisht e pabesueshme”, ka thënë avokati Ress.

Ndër të tjera, gjatë dëshmisë së saj, hetuesja e ZPS-së, Zdenka Pumper ka thënë se dokumentet e paketës 1 dhe paketës 3 ishin kopje.

Koordinatorja e hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper po vazhdon dëshminë e saj në ditën e katërt me radhë.  Dëshmia e saj nuk ka përfunduar dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 25 tetor.

11:37

Avokati i Gucatit lexon transkriptin e intervistës së ZPS-së me personin që u tha se iu pa vetura tek OVL-ja kur u dorëzuan dokumentet

Gjatë seancës të së enjtes, avokati i Hysni Gucatit ka lexuar transkriptin e intervistës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me personin, targat e veturës të së cilit u panë pranë OVL-UÇK kur u dorëzuan dokumentet.

Pra, dëshmia e dëshmitares Zenka Pumper, të enjten ka vazhduar aty ku ka mbetur ditën e mërkurë, në diskutimin për numrin e indeksit të veturës të lidhur me personin që sipas mbrojtjes i ka lënë dokumentet.

Gjatë leximit të transkriptit, Avokati Reese, ka bërë të ditur se ky person i intervistuar nga ZPS ka konfirmuar se është pronar i automjetit dhe e ka nga shkurti i vitit 2020, e se targat i ka ndryshuar kur e ka blerë veturën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ai duke lexuar transkriptin bëri të ditur, se ky person kishte thënë se 90% të kohës e përdor automjetin, ndërkaq rrallë herë e përdorin bashkëshortja ose babai.

“Pastaj pason me pasus të shkurtër kur e flasin a punon nga shtëpia a zyra e thotë se është kthyer në zyre. Pastaj prokurori i thotë se kemi informacionin e automjetit dhe targën që është parë në afërsi të OVL UÇK me 16 shtator 2020 dhe pastaj ndihmës prokurori thotë a e dini çka është OVL UÇK dhe ai thotë jo, pastaj a keni qenë në zyre të OVL UÇK- përgjigje jo. pra për tu treguar më mirë i thotë prokurori dhe i jep adresën e OVL UÇK në Prishtinë dhe e pyet a e njeh këtë adresë, ai thotë jo”, lexoi avokati Reese.

Tutje, ai tha se dëshmitari ka konfirmuar se ka dëgjuar në lajme për dokumentet e dërguara në OVL-UÇK, e se ka mohuar se ka informacion se kush i ka dërguar dokumentet dhe kush mund të jetë i përfshirë.

“Pastaj, a ju kujtohet mbase ja keni dhënë dikujt automjetin atë ditë me 16 shtator apo rreth kësaj date, ai thotë jo s’ja kam dhënë askujt automjetin. A e njeh dikë që punon apo ka lidhje me OVL -UÇK, thotë jo. A e njeh Nasim Haradinaj e Hysni Gucati e Faton Klinaku? Jo. Nuk kemi pyetje të tjera për ju sot”, lexoi avokati.

Ai ka pyetur dëshmitaren nëse i është kërkuar të bëj hetime të tjera për kredibilitetin e këtij individi.

Kurse, e njëjta ka thënë se këtë intervistë nuk e ka parë dhe nuk i është kërkuar të bëj hetim për këtë çështje e se nuk ka ide nëse i është ngarkuar kjo punë dikujt tjetër.

Paraprakisht, para leximit të transkriptit dhe pyetjeve që pasuan pas këtij leximi, avokati i Gucatit ka prezantuar një dokument, ku e ka pyetur se a i sheh targat dhe emrin e personit që ka veturën, e dëshmitarja e konfirmoi këtë.

Sipas avokatit, ky person është ftuar me vonesë nga prokuroria për të biseduar për këtë dhe se biseda ka ndodhur më 18 dhjetor.

“A jeni në dijeni se më 18 dhjetor një koleg tjetër i juaji ka vënë re që kur ky person erdhi të bisedonte me ZPS në vendndodhjen automjeti që ngiste ishte me të njëjtën, këtë, targë që ka vënë në dispozicion Gucati”, ka pyetur avokati, kurse dëshmitarja mohoi se ka dijeni për këtë.

Ajo mohoi se ka dijeni edhe lidhur me atë që avokati thoshte se punonjësi i ZPS-së vuri re që ky individ kishte të njëjtën pamje që ishte përshkruar.

Por, ajo konfirmoi se është në dijeni që u intervistua ky person me 18 dhjetor e që i kujtohet që një kolegë ia ka përmendur kalimthi.

“Ky kolegë nuk ua përmendi që individi që erdhi për intervistë atë ditë ngiste një automjet që përputhej me përshkrimin dhe targën dhe pamjet e personit që ishte parë në filmimet që ka bërë gazetari”, ka pyetur avokati sërish, kurse dëshmitarja mohoi këtë.

Dëshmitarja Pumper ka thënë se nuk ka luajtur ndonjë rol në koordinim të këtij hetimi, me përjashtim të kontrollimit në seli të OVL-UÇK dhe shqyrtimit të paketave.

“Më kanë thënë se koordinimin ka pasur zv.prokurori i specializuar, ai me prokurorin e specializuar”, ka thënë ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

08:01

Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinajt

Edhe sot në Dhoma te Specializuara në Hagë do të vazhdojë seanca gjyqësore, ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Për të katërtën ditë me radhë dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper do të vazhdojë të dëgjohet.

Gjatë ditës së djeshme avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë. Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish-zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej të mbaheshin nën vëzhgim zyrat e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera.

Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.

Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.

Zenka Pumper ka thënë se vendimi për mbajtjen nën vëzhgim, të zyrës së OVL-UÇK ka qenë i prokurorit të specializuar dhe zëvendësit të tij.

“I nderuar gjykatës, më kërkuat dje që të marrë vesh përgjigjet dy pyetjeve që kishit dhe dje me thanë se bashkërendimi i përgjithshëm dhe administrimi i këtij hetimi ishte kryer nga prokurori i specializuar dhe zëvendësprokurori i specializuar, dhe nga ky informacion unë marr me mend se vendimi për të vendosur apo jo zyrat nën vëzhgim do të ishte marrë prej tyre. Por nuk është se me kanë thënë në mënyrë specifike”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë marrë pjesë në seancë me prezencë fizike.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./KSP