Arbëri

Bislimi për opozitën: Shtesat për fëmijët s’mund të jenë edhe masë e gabueshme edhe burim votash

Programi i Qeverisë së Kosovës për shtesat e fëmijëve u kritikua nga deputetë opozitarë, ndërsa u tha se u përdor për fushatë zgjedhore. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se një vendim i tillë nuk mund të jetë fillimisht si u quajt masë e gabueshme e më pas të quhet edhe burim i votave.

Në Deskun e KOHËS, Bislimi ka thënë se Qeveria po implementon programin qeverisës në vazhdimësi.

“Sikur Qeveria të kishte bërë masa ad hoc një muaj para zgjedhjeve, për shembull do ta shtrojmë rrugën për Mramor, ose për Barilevë, që është një vendim që merret në periudhën e fushatës, atij vendimi mund t'i atribuohen elemente të ndikimit në fushatë, por nëse Qeveria në vazhdimësi implementon programin e saj qeverisës është në njëfarë mënyrë kompliment nëse e njëjta asocohet me fushatën. Është kompliment për dy arsye, fillimisht pse thuhet se Qeveria po kryen punë dhe e dyta nëse thoni se po e bëni këtë vendim për qëllime elektorate, në mënyrë implicite pranoni që vendimi është i mirë, do të thotë vendimi për shtesa është i mirë dhe po mendoni që përmes kësaj të merrni vota qytetarëve. Kjo është kundërthënëse sepse kur ne kemi prezantuar këtë program nga opozita jemi kritikuar që është një masë e palogjikshme, e gabueshme, e tash si ka mundësi që një masë të cilën e keni cilësuar të gabueshme, po del që është burim i votave. Është pak kundërthënie në bazë”, tha Bisimi.

Plotësim vendimin për shtesat Bisimi e arsyetoi me performancën tatimore në ngritje.

“Pagesa për shtesa ka filluar para fushatës, por kishte një plotësim vendimi për arsye që ministri nga fillimi ka thënë do të fillojmë me dy vitet e para dhe varësisht nga disponueshmëria e mjeteve do e zgjerojmë në vitet shtesë. Kur është pa që performanca tatimore po i tejkalon edhe pritjet e vetë ministrit të Financave të formuara në korrik, ai ka parë hapësirë shtesë për ta akomoduar një përqindje më të madhe të fëmijëve që në fazën e hershme”, ka përfunduar Bislimi.