Arbëri

PDK-ja bashkëpunimet e para deri në fund të javës, të tjerat në negociata

Partia Demokratike që në rundin e parë fitoi më së shumti komuna nga partitë shqiptare, ka paralajmëruar t’i publikojë koalicionet e para në balotazh deri në fund të javës. Ndërkaq kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që garon për 12 komuna kanë nisur negociatat me partnerët e mundshëm. Por, nga qendra thonë se janë në përgatitje të strategjisë. Ndërkaq, një kandidat i LDK-së tashmë e ka ndarë mendjen që balotazhit t’i hyjë pa aleanca me partitë e tjera

Partitë që synojnë hise të pushtetit komunal me kandidatët për kryetar apo si pjesë mbështetëse e të tjerëve në balotazh janë në vlugun e konsultave për krijimin e aleancave.

Partia Demokratike është ndër subjektet e para që ka paralajmëruar t’i formalizojë bashkëpunimet e para deri në fund të javës, në qytetet ky është pjesë e balotazhit për zgjedhjet lokale.

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se fillimisht u është lënë kandidatëve t’i vendosin partnerët e mundshëm.

“Si parti fillimisht i falënderojmë qytetarët për mbështetjen që u kanë dhënë kandidatëve të PDK-së. Në nivel vendi jemi partia e parë që kemi fituar katër komuna, prej tyre qendra të mëdha urbane dhe jemi në tetë tjera në balotazh. Kandidatët që i kemi janë jashtëzakonisht të mirë dhe kanë relacione të mira me partitë e tjera në lokalitetet atje dhe besoj se veç i kanë vënë kontaktet e para me aleatët e mundshëm të qeverisjes, dhe është në dorën e tyre”, ka thënë Gjoshi për “Kohën”.

“Kuptohet ka edhe koordinim nga qendra për nevojat e tyre, por nuk është se kemi ndonjë preferencë, secila komunë i ka veçoritë e veta dhe varësisht prej tyre, do të veprojnë edhe degët. Me rëndësi është të ruhet imazhi i qeverisjes së mirë, të cilin e kemi vënë si standard, do të thotë modeli qeverisës që e kemi vënë në Ferizaj, Kaçanik, Shtime e në komunat e tjera. Pra nuk është ajo që ne me çdo kusht do të tentojmë t’i marrim komunat, por me kandidatët e mirë dhe programin e mirë që kemi besoj se do të përafrohemi me ata që mendojmë se do qeverisim më së mirë dhe më së lehti në ato komuna”.

Sipas Gjoshit, qasje e njëjtë do të aplikohet edhe në komunat ku kandidatët e tyre nuk janë pjesë e garës, siç është Prishtina apo Podujeva.

“Varësisht prej komunës, diku do të mbështesin një parti ku mendojnë se janë më të përafërt në qeverisje. Diku ndoshta do të qëndrojnë edhe neutralë, varësisht prej pozicioneve”, ka potencuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje që nuk arriti ta fitojë asnjë komunë në raundin e parë, do të jetë partia me më së shumti kandidatë në balotazh- gjithsejtë 12.

Derisa qendra nuk ka vendosur ende për koalicione, kandidatët kanë nisur bisedat.

Kandidati i kësaj partie për Shtimen, Qemajl Aliu, ka publikuar një fotografi me Bedri Zeqirin nga Lidhja Demokratike, duke shkruar: “Stuhia e fitores së 17 Tetorit do të bëhet Uragan më 14 Nëntor!”.

I kontaktuar nga “Koha” ka refuzuar të tregojë nëse ka formalizim të bashkëpunimit.

“Bashkëpunimet i kemi filluar, por diçka zyrtarisht nuk ka. Zyrtare do të jetë vetën atëherë kur të dalim me vendim zyrtarisht, pasi janë strategji të brendshme të partisë sa u përket bashkëpunimeve të mundshme”, ka thënë ai.

Kundërkandidat i Aliut është kryetari aktual nga PDK-ja, Naim Ismajli.

E Mimoza Kusari-Lila që synon kreun e Gjakovës, ka thënë se janë në përgatitje të strategjisë për fazën e dytë.

“Nuk ka ende vendimmarrje, jemi në analizë të rezultatit të zgjedhjeve dhe përgatitjes së strategjisë për fazën e dytë. Në këtë pikë nuk mund të them se do të hyjmë me dikë në veçanti dhe nëse ka fillu ose do të përcaktohet një drejtim tjetër”, ka thënë ajo.

ka treguar edhe rrethanë kur mund t’i shqyrtojnë koalicionet me të tjerët.

“Për ne është e rëndësishme me u përcjellë mesazhi i domosdoshmërisë së ndryshimit për Komunën e Gjakovës, me komuniku direkt me qytetarët sa më shumë edhe natyrisht se në këtë proces nëse shihet hapësira ose nevoja për me pasë të formalizuar - atëherë do ta shikojmë. Por tash në këtë pikë, nuk ka”, ka deklaruar ajo.

Bashkëpunimet e mundshme nuk i ka zbuluar as Lidhja Demokratike.

Por një kandidat i saj që synon rikthimin e komunës së Podujevës, ka përjashtuar koalicionet me partitë e tjera.

“Koalicioni ynë do të jetë me qytetarin dhe këta qytetarë, me energjinë dhe entuziazmin që e kanë, jam i sigurt se do të fitojmë dhe fitorja ka me qenë jona dhe e qytetarit bashkë. Kjo është ajo që ne mendojmë se është më së miri, masanej është dega, por nga ajo kemi pasur përkrahje gjatë gjithë kësaj kohe dhe do të vazhdojë përkrahjen prapë”, ka theksuar Ekrem Hyseni.

E hapur për bashkëpunime është treguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas Pal Lekajt, kandidatët për kryetarë të komunave do ta kenë fjalën e fundit.

“Sa i përket balotazhit, ne do t’i shqyrtojmë me partinë pra me subjektin tonë AAK-në, dhe në këtë drejtim do të vendosim, mirëpo duke e marrë sugjerimin e kryetarit, sepse në aleancë është praktikë që të pyesim kryetarët e komunave që janë në balotazh dhe me propozimin e tyre ne vendosim”, ka potencuar ai.

As kandidatët për kryetar të Komunës së Klinës s’kanë përjashtuar mundësinë që të hyjnë në koalicione me dy partitë tjera të mëdha në këtë komunë, për rundin e balotazhit të nëntorit.

Kryetari Zenun Elezaj, njëkohësisht kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për edhe një mandat, si dhe rivali i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Esat Raci, dolën në dy pozitat e para në zgjedhjet e 17 tetorit. Elezaj fitoi 43 për qind të votave, ndërsa Raci ishte i dyti me 27.6 për qind.

Elezaj ka thënë të mërkurën për “KOHËN” se e ka vullnetin për vazhdimin e koalicionit dhe qeverisjes së Klinës me LDK-së dhe LVV-në.

“Vullneti është dhe sigurisht që jam i interesuar për të vazhduar bashkëqeverisjen me LDK-në dhe LVV-në. Por, kjo varet prej atyre. Unë mendoj kështu, por ende nuk kemi komunikime zyrtare me këto parti. Por, një herë po presim edhe certifikimin e rezultateve edhe për Kuvendin Komunal”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, edhe sfiduesi i Elezajt në balotazh, Raci i PDK-së s’ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje koalicioni para balotazhit.

“Ende nuk kemi vendosë asgjë, por absolutisht nuk e përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit. Nuk i përjashtojmë ato mundësi, dhe vija të kuqe nuk kemi”, ka theksuar Raci.

21 komuna kanë shkuar në balotazh përfshirë ato kryesoret si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova e Podujeva. Gara për kryeqytetin do të zhvillohet mes Arben Vitisë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike.