Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk pajtohet me raportin e BE-së për Kosovën sa i përket çështjes së vetingut. Në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht se në raport thuhet që vetingu duhet të jetë masë e fundit që merret në Kosovë, si presidente inkurajon institucionet që ta vazhdojnë procesin e vetingut.
Vetingu, tha Osmani, është i domosdoshëm.
“Sa i përket vetingut Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëherë i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Në fakt mungesa e vetingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi. Komisioni Evropian konsideron se vetingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjithë mekanizmat, edhe ky konstatim është i gabuar sepse mekanizmat ekzistues janë këta për vite të tërë dhe kanë rezultuar joefektiv. Përmes këtyre mekanizmave nuk është rritur profesionalizmi, integriteti dhe besimi qytetar në institucione të drejtësisë. Për këto BE ka kritikuar për vite të tëra. Vetingu jo vetë, i rëndësishëm por i domosdoshëm”.
Osmani tha se procesi i vetingut duhet të përshpejtohet e assesi të ndalet.
“Për dallim nga konstatimi i raportit të BE, ky proces do jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë kanë konstatuar mangësi në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuat, si rrjedhojë është e qartë se vetëm mekanizmat ekzistues nuk do ketë mundësi të kemi reformat e dëshiruara në sistemin tonë të drejtësisë. Ky proces do jetë mekanizmë për të nxjerrë ën pah prokurorët, gjyqtarët që kanë integritet dhe janë profesional. Vetingu do zhvillohet në përputhje me standardet tona, duke marrë reforma të thella në drejtësi dhe duke siguruar drejtësi. Jo vetëm kërkoj që ky proces të vazhdojë e të mos ndalet, por edhe të përshpejtohet si domosdoshmëri. I inkurajoj të gjitha institucionet të vazhdojnë këtë punë”.
Osmani: Shpresoj që zyrtarët e BE-së të mos bëjnë më deklarata të njëanshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zyrtarët e Bashkimit Evropian duhet t’i qëndrojë prapa deklaratës së Komisionit Evropian sa i përket luftimit të krimit e korrupsionit nga institucionet e Kosovës në çdo pjesë të vendit, pa dallim.
Ajo tha se pret të ketë mbështetje nga zyrtarët e BE-së në çfarëdo veprimi të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe ato në veri dhe jo të ketë kundërshtim nga ta.
“Komisioni Evropian konfirmon se situata në veri është sfiduese sa i përket korrupsionit, sundimit të ligjit e lirisë së shprehjes. Komisioni kërkon nga Kosova, citoj “duhet të merren masa shtesë për të luftuar pikëkalimet ilegale të kufirit dhe aktivitetet kriminale të ndërlidhura, përfshirë korrupsionin veçanërisht në kufirin me Serbinë”. Ne kërkojmë nga të gjithë zyrtarët e BE-së t’i qëndrojnë besnikë këtyre deklaratave ashtu që sa herë institucionet e Kosovës të luftojnë krimin e korrupsionin në çdo cep, përfshirë edhe ne veri, ta kemi përkrahjen e tyre dhe jo kundërshtimin e tyre. Në luftë me krimin e korrupsionin nuk ka kompromis në asnjë pjesë të vendit tonë”.
“Prandaj shpresoj në të ardhmen zyrtarët e BE-së të mos bëjnë deklarata të njëanshme dhe të pabazuara që mund të rrisin tensionet dhe të pengojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit ë çdo cep të Kosovës”.
Osmani: Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes s’është kompetencë e misioneve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti ka detyrë emërimin dhe ndërprerjen e mandatit, kur foli për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryesueses së KQZ-së në raportin e BE-së.
Shtoi tutje se interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes bëhet nga gjykatat kompetente dhe jo nga misionet.
“Problemi i parë qëndron se ndërprerja e këtij mandati nuk ka të bëje me procesin zgjedhor të 17 tetorit, pra edhe vëzhgimi i një veprimi të tillë që është bë para se të shpallen zgjedhjet e 17 tetorit është tërësisht jashtë mandatit të këtij ekipi teknik. Ka pasur përmirësim të dukshëm në punën e KQZ-së dhe zgjedhjet kanë qenë të organizuara në mënyrë të shkëlqyeshme. Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetence e gjykatave, jo e misioneve. Legjislacioni në fuqi parasheh që presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar kryetarin e KQZ-së dhe për ndërprerje të mandatit. Presidentja është autoriteti emërues, shkarkues dhe autoritet që bën vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje me ligjin e kushtetutën”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se nuk do të zmbrapset nga kërcënimet se për vendimet që merr dikush do ta dërgojë në Kushtetuese.
“Mua nuk do të mund të më zmbrapsë askush me kërcënime për dërgim në Gjykatë Kushtetuese, sa për mua le të më dërgojnë çdo javë nga një rast, si presidente do mbetem e përkushtuar në zbatim të Kushtetutës”.
Dje misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka prezantuar një raport fillestar mbi procesin zgjedhor të mbajtur me 17 tetor 2021. Por në këtë raport përmendet edhe shkarkimi i Valdete Dakës nga posti i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas raportit fillestar të BE-së thuhet se ekziston një dispozitë ligjore e paqartë lidhur me këtë vendim.
‘’Dispozita e paqartë ligjore e cila lejon shkarkimin e kryesuesit apo një anëtari nis nëse ata sillen apo veprojnë në mënyrë që ndikojnë seriozisht në statusin apo integritetin e KQZ-së. Kjo mund të lë hapësira për keqpërdorimin e saj’’, thuhet në raportin fillestar të misionit të BE-së në Kosovë.