Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2020 ka pasur rënie prej 5.5 për qind, ndërsa borxhi publik është rritur në 1.5 miliardë euro. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, duke paraqitur raportin e financiar për vitin 2020 në Komisionin për Buxhet, ka thënë se pandemia COVID 19 ka bërë që të ketë rënie ekonomike dhe të rritet borxhi publik.
Megjithatë, Mehmeti u shpreh se aktiviteti ekonomik në gjysmëvitin e parë të vitit 2021, ka qenë 10.1 për qind më i lartë se viti paraprak.
I pyetur nga deputetët për çështjen e kompanive të sigurimeve, Mehmeti ka deklaruar se është zbatuar ligji për secilën prej tyre.
Këtë raport të guvernatorit, anëtari i këtij komisioni nga radhët e LVV-së, Eman Rrahamani, e quajti të gjeneralizuar dhe pa ndonjë llogaridhënie konkrete.
Ndërsa, deputeti tjetër i LVV-së, Visar Korenica akuzoi guvernatorin për nepotizëm në BQK.