Arbëri

Abdixhiku fajëson vetë LDK-në për dështimin e 14 shkurtit, Mustafa qytetarët

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ia ka vënë fajin vetë partisë për dështimin që pësoi në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit. Deklarata e tij bie kundër asaj të ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa, që të hënën fajësoi qytetarët për humbjen e partisë.

Teksa i ka cilësuar si pozitive rezultatet e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Abdixhiku deklaroi se “si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim”. “Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë - dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë”, u shpreh ai në një postim në Facebook.

Ndërkaq, një ditë më herët, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se tash “votuesi po i kthehet racionales”.

“Këto zgjedhje treguan se Kosova e ka kapërcyer dehjen dhe transin politik që e karakterizoi në shkurt të këtij viti dhe se votuesi po i kthehet racionales. LDK tregoi rezultate të mira dhe këto rezultate do t’i fuqizojë me fitoren e Prishtinës, Podujevës dhe së paku komunave tjera që i ka qeverisur deri më tani”, ka deklaruar ai për “KosovaPress”.

Madje, sipas Mustafës, votuesi i LDK-së qe mashtruar në ato zgjedhje e se “votuesi i LDK-së tregoi se është i ngritur, i moralshëm se mund të mashtrohet njëherë por jo gjatë”.

Ndërkaq në interesimin e KOHËS për një qëndrim partiak për çështjen në fjalë, nga LDK-ja kanë thënë se kur deklarohet kryetari aktual për procesin e zgjedhjeve ai është qëndrimi i partisë.

Isa Mustafa u largua nga posti i kryetarit të LDK-së pas rënies së kësaj partie në vend të tretë, në vetëm 12 për qind.