Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka folur për deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borrell, që tha se duhet ndalen veprimet e njëanshme e të pakoordinuara.
Borrell reagoi dje, pas aksionit të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe në veri, për të luftuar kontrabandën.
“Ta marrim në perspektivë se çfarë tha Përfaqësuesi i Lartë, Borrell. Ai po thoshte që thërrasim për qetësi. Incidentet e dhunshme që po ndodhnin, e në fakt kishte të tilla në veri të Kosovës, duhet të ndalen menjëherë, dhe fatmirësisht u ndalën. Ajo që tha, veprimet e njëanshme e të pakoordinuara, të marra nga autoritetet, që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Ai nuk po i referohej operacionet apo veprimeve të Policisë për të luftuar korrupsionin apo kontrabandën. Po fliste në parim për atë që ndodhi, e që nuk është hera e parë, në veri të Kosovës. Ne e dimë të gjithë se situata, veçanërisht në këtë pjesë të Kosovës është shumë e ndjeshme. Çfarëdo që bëhet në këtë pjesë të territorit, është shumë e ndjeshme dhe duhet marrë parasysh kjo. Për këtë arsye po thoshim dje, siç thamë edhe dy apo tri javë më parë, kur kishte po ashtu tensione në këtë pjesë të Kosovës, çdo veprim i njëanshëm duhet evituar, në mënyrë që të mos ndizet konfrontimi potencial e të rriten tensionet. Është e kundërta e asaj që po duam të bëjmë”, ka thënë Stano në konferencë për media. “Duam të sigurohemi që problemet që janë në terren, e lidhen me veri të Kosovës e me çështje tjera më të gjera mes Kosovës e Serbisë, duhet të merren në mënyrë të koordinuar e duhet të përdoret dialogu për t’u marrë me këto. Ky ishte në esencë mesazhi i Përfaqësuesit të Lartë”.
Stano ka thënë se sa më tepër koordinim të ketë aq më tepër efikas mund të jenë. Ai ka thënë se Borrell nuk ka komentuar në postimin e tij luftimin e krimit apo korrupsionit.
“Ajo që ndodhi dje, reagimi i tij, ishte i lidhur me një situatë, që ishte rezultat i veprimeve të caktuara, që nuk ishin koordinuar e diskutuar paraprakisht mjaftueshëm mirë, në këtë kontekst të situatës shumë të ndjeshme në veri të Kosovës. E dimë se ka kontekst më të madh të asaj që ndodhi dje e nuk mund të reduktohet te operacioni policor që po lufton krimin e korrupsionin. Reagimi ishte i lidhur në kontekst më të gjerë që është simptomatik e vjen herë pas here në këtë pjesë të caktuar të territorit të Kosovës, që është pjesë e kontekstit më të gjerë të asaj çfarë po ndodh mes Kosovës e Serbisë, në tentim për të gjetur më në fund një mënyrë të pranueshme për një marrëveshje normalizimi. Dyja palët janë në dijeni për këtë dhe në këtë kontekst po fliste Borrell”, tha Stano.
Stano ka shtuar se koordinimi është dashur të bëhet me partnerët ndërkombëtarë, e po ashtu të njoftohet edhe pala e kundërt, që të mos ketë reagime të tilla siç pati.
“Sigurisht nuk po themi koordinim të bëhet me kriminelët e kontrabanduesit. Sërish konteksti se çfarë po ndodh në veri të Kosovës, nuk është i lidhur me krimin e korrupsionin, është i lidhur me çështjen më të gjerë që është ende aty mes Kosovës e Serbisë. Nuk ka të bëjë me koordinim me kontrabandues, por nëse pala zyrtare vendos të ndërmarrë diçka në atë territor në veri të Kosovës, që është aq specifik, e burim i aq shumë diskutimeve e tensioneve, atëherë ndonëse nuk ka ndonjë marrëveshje specifike për të ndaluar autoritetet të bëjnë operacione, është praktikë e zakonshme të koordinohet me komunitetin ndërkombëtar, KFOR-in, e po ashtu me palën në anën tjetër, që njerëzit të mos befasohen e reagojnë në atë mënyrë”, tha Stano.
Ai ka thënë se Borrell po reagonte ndaj një situate konkrete.
“Ai po reagonte ndaj një situate konkrete që po ndodhte, në një çështje më të gjerë mes dy vendeve. Sidomos apeli për qetësi e më tepër koordinim, e evitim të palëve për veprime të njëanshme duhet të shihet në këtë kontekst. Ekziston një platformë për të diskutuar për çështjet, që është dialogu mes Kosovës e Serbisë, aty duhet diskutuar gjitha çështjet, ato që e prekin veriun e Kosovës, Kosovën e marrëdhëniet mes komuniteteve aty”, tha Stano.
Ai thotë se po shihet nevoja se duhet ecur më shpejt në dialog.
“Ekziston nevoja për të vazhduar e avancuar para në dialog. Platforma për të gjetur gjitha zgjidhjet e hapura është dialogu, gjitha zgjidhjet ndaj çështjeve që shkaktojnë irritim për dyja palët. Ky është mesazhi që po mundohemi të japim. Përdorni platformën për gjitha çështjet, e të parandalohen situata si këto tash. Shumica shkaktohen nga veprime të njëanshme të pa koordinuara nga njëra palë apo tjetra”, tha Stano.