2 perditesime
16:52

Sveçla për deklaratën e Borrellit: Nëse mendon se koordinohemi me Beogradin, gabon

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për aksionin e sotëm në veri të vendit.

Sveçla ka thënë se aksioni të cilin Borrell e quajti “unilateral” nuk mund të ishte ndryshe, pasi sipas tij në Kosovë përgjigjet një Polici e Kosovë, Dogana, AKI-ja e KFOR-i, me të cilët janë koordinuar.

“Deklaratës së Borrell, së pari aksioni në luftë kundër kontrabandës ne kemi gati çdo ditë. Dje policia e Kosovës ka pasur aksion ku është arrestuar një falsifikator i faturave të ndryshme. Nacionaliteti i tij është turk. Është dashtë edhe dje të koordinohemi me dikë për aksionin tonë. Ky aksion ka qenë puro kundër kontrabandës që është plagë që po kullon për financat për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Kemi pasur koordinim me akterët ndërkombëtarë, i kemi informuar për këtë aktivitet”.

Sveçla tha se ëstë qasje e gabueshme nëse dikush mendon që Kosova i përgjigjet Beogradit për veprimet kundër krimit në territorin e Kosovës.

“Ai ka thënë aksion uniletaral, me kë mund ta bëjmë ne një aksion multilaterale, është një polici, një doganë, një AKI, një KFOR, që është informuar paraprakisht. Kështu që, për kë e ka pasur fjalën ai, nuk e di. Nëse dikush mendon se ne duhet të koordinohemi me Beogradin që të godasim ata që Beogradi po i mbron në krim, atëherë është qasje e gabueshme”, shtoi Sveçla në konferencë për media.

14:57

Nga Kryeministria i përgjigjen Borrellit: Shteti sovran e lufton vetë krimin, pa koordinim

Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, i është përgjigjur Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për reagimin e tij lidhur me situatën e tensionuar në veri. Teksa Borrelli kërkoi të mos ketë veprime të njëanshme e të pakoordinuara, Dalipi ka thënë se luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë tipike e një shteti sovran.

Në Twitter, Dalipi ka kërkuar nga Borrelli që dhuna e nxitur nga huliganët me urdhra të Serbisë të mos portretizohet si problem ndëretnik mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Ai ka përmendur po ashtu se aksioni i ndërmarrë të mërkurën është për të luftuar krimin dhe korrupsionin në katër komuna të Kosovës, me njërën prej tyre që është pjesë e zonës veriore të Kosovës.

“Andaj, askush, dhe në veçanti asnjë zyrtar i nivelit të lartë të BE-së, nuk duhet të përpiqet ta bëjë këtë problem politik apo etnik, dhe asnjë koordinim bilateral s’është i rëndësishëm në këtë rast, sepse luftimi i krimit dhe kontrabandës është kompetencë tipike e një shteti sovran”, ka shkruar Dalipi.

Në fund Dalipi i ka thënë Borrellit se prokurori e gjykatësi i rastit në fjalë janë serbë dhe se krimi e kontrabanda s’kanë etni.

Nga aksioni i zhvilluar në katër komuna sot, janë arrestuar tetë persona. Prej tyre 6 shqiptarë, dhe një serb e një boshnjak. Gjashtë policë u lënduan, prej tyre një serb.

13:43

Borrell: Incidentet në veri duhet të ndalen menjëherë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës ne veri të vendit, duke thënë se “incidentet duhet të ndalen menjëherë.

Sipas tij, të gjitha çështjet duhet të adresohen në dialogun që po e lehtëson Brukseli.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkurar Borrell në Twitter.

Gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe Doganës për të luftuar kontrabandën, në veri të vendit janë lënduar gjashtë policë. Aksioni ishte i shtrirë në shumë qytete ku u arrestuan tetë persona, e tre prej tyre në veri.