Arbëri

Qindra e mijëra ndërtime pa leje kanë më pak se një vit afat për legalizim

Descriptive Text

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ia ka shtyrë afatin edhe për një vit Ligjit për trajtimin e objekteve pa leje, që është shtyrja e dytë dhe e fundit për këtë Ligj. Megjithatë, gjatë këtyre tre vjetëve, prejse ka hyrë në fuqi ky ligj, janë vetëm 13 mijë e 86 aplikime që i kanë pranuar komunat nga qytetarët. E në të gjithë Kosovën, deri më 2013, janë regjistruar rreth 352 mijë ndërtime pa leje. Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin të pamundur përfundimin e këtij procesi deri në shtator të 2022-s

Më pak se një vit kanë në dispozicion institucionet, sidomos ato komunale për t’i trajtuar qindra mijëra ndërtime pa leje. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka marrë vendim që t’ia vazhdojë afatin edhe për një vit Ligjit për trajtimin e objekteve pa leje. Ky ligj që ka hyrë në fuqi në vitin 2018 kishte afat dyvjeçar me mundësi vazhdimi edhe dy herë të tjera nga një vit.

“Bazuar në vendimin e ministrit të MMPHI-së të datës 27.8.2021 me numër protokolli 3393/21 është bërë vazhdimi për herën e dytë për 12 muaj për pranimin e aplikacioneve për legalizim. Aplikimet për legalizim mund të bëhen deri më 4 shtator 2022”, thuhet në përgjigjet e Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit (DPHNB) të MMPI-së.

Por, pak objekte janë legalizuar gjatë këtyre tre vjetëve – gjithsej janë 4 mijë e 69 certifikata të legalizimit që komunat i kanë lëshuar për qytetarët. Ndërkohë, bazuar në Regjistrin shtetëror të ndërtimeve pa leje të identifikuara përmes ortofotos zyrtare të vitit 2013, në Kosovë janë rreth 352 mijë ndërtime pa leje.

“Bazuar në raportimet nga komunat për procesin e legalizimit, deri më 31 gusht 2021 është kjo pasqyrë për numrin e aplikimeve dhe vendimeve për legalizim: 13.586 aplikacione, 4.069 certifikata të legalizimit të lëshuar nga komunat, 1297 vendime në listën e pritjes, 2242 numri i ndërtimeve të regjistruara në kadastër dhe regjistrimin e të drejtave të pronave të paluajtshme (RDPP)”, thuhet në përgjigjet e Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit (DPHNB) të MMPHI-së.

Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin të pamundur përmbylljen e këtij procesi deri atëherë. Drejtori ekzekutiv i Rrjetit të organizatave Demokracia Fillon Këtu (DFK), Shemsi Jashari, ka thënë se deri tash asnjëherë nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm institucional për ta shtyrë përpara këtë proces. Sipas tij, edhe zgjedhjet e shpeshta në Kosovë kanë ndikuar që legalizimit të mos i kushtohet vëmendja e duhur.

“Procesi i legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje është një proces i cili është dashtë kaherë t’i afrohet përmbylljes. Për fat të keq ne e kemi një proces shumë të ngadalshëm, e kemi një mungesë të vullnetit edhe politik”, ka thënë Shemsi Jashari.

Sipas tij, do të duhej të bëheshin më shumë fushata ndërgjegjësimi për qytetarët të cilat do të mundësonin shpjegimin e të mirave të legalizimit.

“Edhe proceset e shpeshta zgjedhore kanë bërë që politikanët që drejtojnë komuna, po edhe në nivelin e ministrive, të shohin më shumë benefitet politike duke mos e shtyrë përpara këtë proces, e lirisht mund të them se është një lloj dështimi i planifikuar për shkak se nuk ka pasur asnjëherë vullnet të mjaftueshëm institucional për të shtyrë përpara këtë temë dhe paralelisht me sanksionet që do të pasonin në rast se nuk ka përgjigje pozitive prej qytetarëve për të legalizuar objektet e ndërtuara pa leje”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i DFK-së. “Duke pasur parasysh që veç jemi në një proces zgjedhor dhe merr kohë edhe konstituimi i institucioneve lokale që dalin nga këto zgjedhje, shto këtu që disa komuna do të shkojnë në balotazh dhe merr kohë shtesë, e shohim që pjesa e parë të këtij viti do të shkojë duke u marrë me certifikimin e procesit dhe me fillimin e punës së kryetarëve të rinj, çka nënkupton se gjysma e këtij afati ligjor prej një viti do të shkojë pa pasur mundësi që të adresohet si çështje mjaft e rëndësishme”.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve në Kosovë, Faton Hoxha, por ai deri në momentin e raportimit nuk ka kthyer përgjigje. Megjithatë, një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ai ishte shprehur skeptik se ky ligj brenda afatit të tij mund ta përmbyllë procesin e legalizimit.

“Duke u bazuar në përvojën me procese të tjera, koha prej 2 vjetëve e paracaktuar sipas ligjit është pothuajse e pamundur të realizohet dhe të përfundojë si proces”, kishte thënë ai.

Në anën tjetër, Shemsi Jashari thotë se moslegalizimi bart në vete rrezik, pasi ndikon edhe në hartimin e planeve zhvillimore komunale.

“Do të duhej ndoshta të rishikohej ligji në rend të parë dhe mangësitë e identifikuara gjatë procesit. Të bëhet një studim i qyrtë se cila është arsyeja që qytetari nuk po gjen vullnet për të hyrë në këtë proces të legalizimit dhe paralel me këtë duhet një vullnet i nivelit ekzekutiv. Në këtë rast edhe niveli i Qeverisë të shtojë si prioritet këtë fushë dhe të bëjë presion te niveli komunal, ta kushtëzojë me procese të caktuara implementimin e këtij projekti të legalizimit që të përfitojnë edhe qytetarët duke pasur prona të legalizuara”, është shprehur ai.

Kur janë pyetur zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nëse do të nxjerrin ligj të ri për t’i trajtuar ndërtimet pa leje, ata kanë thënë se e gjithë puna e tyre është e fokusuar “në implementimin e suksesshëm të këtij ligji”.

Zgjidhje këtij problemi është tentuar t’i jepet me Ligjin 04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili i trajtonte objektet e ndërtuara deri në vitin 2013. Por i njëjti nuk kishte arritur ta kryente misionin e vet. Për shkak të procedurave pothuajse të njëjta sikur në rastin kur kërkohet leje ndërtimore dhe po ashtu çmimit të lartë, numri i objekteve të legalizuara me atë ligj ishte simbolik. Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ishte ndërprerë, pasi në fillim të vitit 2017 ishte shfuqizuar Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili kishte afat kohor që e mbante atë në fuqi për tre vjet – nga 4 shkurti 2014 deri në datën e njëjtë të vitit 2017. Ndërkohë, në vitin 2018 e kishte nxjerrë Ligjin e ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, duke i thjeshtësuar procedurat e aplikimit dhe duke zbritur çmimin për metër katror. Por e njëjta ishte vonuar për gjashtë muaj për t’i nxjerrë edhe aktet nënligjore për ta bërë të zbatueshëm këtë Ligj. Megjithatë, deri tash, krahasuar me numrin e objekteve pa leje, ky ligj, sikur edhe ai paraprak, nuk pritet ta përmbyllë procesin e legalizimit.