Arbëri

Sveçla e drejtori i Policisë lëshojnë sallën pa nisur raportimin para deputetëve

Ende pa nisur raportimin para deputetëve ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka dështuar mbledhja e Komisionit parlamentar për siguri dhe çështje të mbrojtjes. Sveçla e Mehmeti kanë kërkuar të raportonin bashkë, dhe kjo është kundërshtuar nga Komisioni Parlamentar që ftesën thotë se ua ka bërë për raportim ndaras.

Gjatë largimit, ka pasur edhe përplasje verbale me kryetarin e Komisionit, Bekë Berisha, që e ka quajtur Sveçlën, “Cfekla”. Madje ai dëgjohet edhe duke iu drejtuar Sveçlës e Mehmetit me fjalët “ecni prej këtuhit”.

Berisha ka thënë se i ka ftuar ndaras në raportim dhe jo bashkë. Njëjtë ka thënë edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica. Në anën tjetër, ministri Sveçla ka thënë se e ka marrë ekipin pasi që punon me ta. Pos Sveçlës e Mehmetit, sallën e lëshuan edhe deputetë të VV-së, pos Fatmir Humollit.

“Kjo mbledhje është thirrur për situatën në veri. Unë kam pyetje për ministrin qe nuk guxon me u përgjigj. Fatmir po i lexoj pyetjet, pse me barazu njësinë speciale me strukturat e Serbisë? A e din që zëvendësimi i policisë me KFOR-it është kthim i rezolutës 1244. Pranimi i targave KM është hapi i parë drejt ‘Zajednicës’. Kam pas plot pyetje edhe për drejtorin e policisë”, ka thënë Berisha.

“Veç e ka pas ftesën ministri dhe veç drejtori i Policisë. Që nga fillimi i ka ardhur era njëfarë marrëveshje. Vetë fakti që e kanë lënë me diskutu pas 6 muajsh, pas kësaj kohë janë zgjedhjet në Serbi. Fatmir, e keni kthyer KFOR-in dhe ende nuk e kemi përmbyllë një marrëveshje me Serbinë për demarkimin e kufirit dhe kjo është shenjë e keqe. Ne kemi nevoje me pas ministrinë, ne me bo pyetje dhe ai me dhënë sqarime”, ka thënë ai.

Deputeti Humolli ka thënë se është vendim politik i Kuvendit që e njeh Rezolutën 1244 dhe KFOR-in.

“Duhet me kuptu që është vendim i policisë me i ruajt pikat kufitare, njësia speciale ka intervenuar në mënyrë profesionale. Ka qenë vendim politik që të mos shkaktohen trazira më të mëdha në popullatë. Njësia speciale shkon përsëri, jam shumë i sigurt”, ka thënë ai.