Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar lehtësimin e masave anti-COVID, duke përfshirë këtu, rritjen e orarit të funksionimit, rritjen e kapaciteteve të brendshme dhe heqjen e orës policore.
Përmes një reagimi në Facebook, kjo shoqatë vlerëson se gjendja epidemiologjike është stabile dhe vaksinimi po vazhdon, prandaj ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë një zgjidhje të duhur.
“I kemi ofruar Ministrisë së Shëndetësisë argumente të mjaftueshme që nuk kanë kuptim të mbahen kufizimet në fuqi përderisa jemi duke operuar me kujdes sa i përket klientëve që po i frekuentojnë lokalet tona. Masat duhet të lehtësohen, gjendja epidemiologjike është stabile, procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, gjithsesi duke vazhduar me kontroll ndaj klientëve tanë. Rrjedhimisht, orari i funksionimit të bizneseve duhet të bëhet në pajtim me rregulloret komunale për orarin e punës së bizneseve, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme duhet të rritet, ora policore duhet të hiqet! Ejani të ulemi bashkë dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur, me kujdes për shëndetin publik dhe atë ekonomik!”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve ndaj masave që janë në fuqi.
Sipas tyre, këto masa po vlejnë përsëri vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve.
“Ka kaluar më shumë se një muaj që kërkesat tona po bijnë në vesh të shurdhër nga Ministria e Shëndetësisë. Fatkeqësisht masat e fundit përsëri po vlejnë vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve, ndërsa partitë politike përsëri po e bëjnë të njëjtën gjë, duke organizuar fushata që janë në kundërshtim me këto masa”, thuhet më tutje në reagim.