Arbëri

Shqiptarëve në Serbi s’u kompensohen shpenzimet për targat e përkohshme

Mbi 13 mijë targa të përkohshme u lëshuan nga Republika e Kosovës gjatë 15 ditëve, sa qëndroi në fuqi vendimi për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë. Taksën për pajisje me këto targa e kanë paguar edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, por ata nuk do të kompensohen siç kishin marrë premtime nga Kosova. Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, Ministria e Punëve të Brendshme duke përmendur arritjen e marrëveshjes së re në Bruksel ka thënë se materiali për mbulimin e simboleve të targave tani është falas

Shqiptarëve të Serbisë, përkundër premtimit, nuk do t’u kompensohen shpenzimet e blerjes së targave të përkohshme. Pas vendimit të reciprocitetit, përveç serbëve edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës u detyruan të paguanin taksën prej 5 eurosh.

E, kryeministri Albin Kurti më 22 shtator siguroi se do të gjendet një formë për kompensimin e tyre. Mirëpo pas marrëveshjes së re me Serbinë për targat, Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga kompensimi. Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se materiali për mbulimin e simboleve të targave tani është falas.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme për formën e kompensimit, por MPB-ja ka thënë se pas marrëveshjes së re në Bruksel, letër-ngjitëset ofrohen pa pagesë për të gjithë.

“Ne kemi një marrëveshje të re tashmë dhe letër-ngjitëset ofrohen pa pagesë për të gjithë”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Ministrisë.

Moskompensimin, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, nuk e komenton drejtpërdrejt. Por ai thotë se një pagesë e tillë nuk ka qenë ngarkesë e madhe, pavarësisht gjendjes jo të mirë financiare të tyre. “Ka probleme të jashtëzakonshme sa u përket financave. Në këtë drejtim edhe përskaj të gjitha këtyre vështirësive nuk e kanë pasur problem që të bëjnë pagesën e 5 eurove sa i parket taksës për tabelat e përkohshme”, thotë Mustafi.

Më brengosëse për Mustafin është trajtimi i Luginës nga institucionet e Kosovës.

“Ajo që është më shqetësuese, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka as plan, as program e as strategji se si do t'i qaset çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përveç asaj që kryeministri në Bruksel ka përmendur çështjen e reciprocitetit në kuadër të të drejtave sa u përket serbëve në Kosovë”, ka shtuar Mustafi.

Sipas vendimit për reciprocitet të 20 shtatorit, nga kjo datë e deri më 4 tetor janë lëshuar 13 mijë e 420 targa të përkohshme. Ministria nuk ka treguar se sa prej tyre janë lëshuar për shqiptarët e Luginës, e rrjedhimisht nuk dihet as vlera e kostos që ata kanë paguar gjatë kësaj periudhe. Më 30 shtator, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën marrëveshje për reciprocitetin me targa. Në vend të targave të përkohshme, sipas marrëveshjes, drejtuesit e automjeteve duhet t’i mbulojnë simbolet shtetërore me letër ngjitëse kur qarkullojnë në shtetet përkatëse.