8 perditesime
16:22

Miratohet programi kombëtar për zbatimin e MSA-së 2021-2025

Kuvendi i Kosovës me 63 vota ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2021-2025.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka treguar detajet e këtij programi, teksa tha se kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është mbi 47 mijë euro.

“Programi kombëtar për zbatimin e MSA-së përmban gjithsej 242 masa afatshkurtra, prej tyre 109 masa legjislative dhe 133 masa zbatuese, si dhe objektiva prioritare afatmesme. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 47 milionë e 676 mijë e 792 euro, prej të cilave 44 milionë e 931 mijë e 171 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 2 milionë e 745 mijë 621 euro nga mbështetja e donatorëve ku janë kryesisht BE dhe donatorët bilateral. Ky dokument nuk ka asnjë vakum buxhetor”, tha ai.

Bislimi tha se kanë paraparë zbatimin e të paktën 80 për qind të programit për këtë vit.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se ky dokument është shkelur me të dyja këmbët nga vet qeveria me emërimin e familjarëve nëpër bordet e institucioneve të pavarura, teksa ka pasur kritika për mungesën e ministrisë së Integrimeve Evropiane.

“PKZMSA i kërkon Kuvendit emërimin e anëtarëve të bordit të institucioneve të pavarura bazuar në meritokraci e bazuar në profesionalizëm për të shmangur emërimet politike, duke përmendur kështu edhe një memorandum që ne si Kuvend e kemi me Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria përgjatë gjashtë muajve të saj nuk ka lënë bord e nuk ka lënë agjenci të pavarur pa e mbushur me të afërm, pa e mbushur me familjarë, me dajë, me nipa e me mbesa. Prandaj, që në start ne këtu e shohim që po e shkelim me dy këmbë një dokument i cili nuk i duhet vetëm raporteve tona me Bashkimin Evropian, po në radhë të parë i duhet shtetit tonë”, tha ajo.

Mbështetje Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021-2025 i kanë dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Gjithashtu është miratuar edhe Plani i Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane.

13:00

Kuvendi miraton disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë atë për financim shtesë të COVID-19

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për Marrëveshjen e bashkëfinancimit për Projektin “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës

Kuvendi miratoi me 82 vota për edhe Marrëveshjen e Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 70 vota për, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me 71 vota për, u miratua edhe projektligji për punimet nga metalet e çmuara.

12:17

Kurti: Synojmë ulje të mëtejme të importeve nga Serbia me masat që do t’i marrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e importeve nga Serbia krahasuar me vitin 2019 e 2020.

Kurti ka thënë se nëse duhet bërë krahasimi, atëherë duhet bërë me gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj, pasi në vitin 2019 ishte bllokada e tarifës njëqind për qind e viti 2020 kishte vit me pasoja për importe për shkak të pandemisë e po ashtu për shkak të reciprocitetit që i ishte vendosur Serbisë.

“Në 6 mujorin e parë të vitit 2018 janë importuar fiks 212.1 milionë euro mallra nga Serbia, 60 për qind më shumë se vlera e importeve në 6 mujorin e parë të këtij viti. Krahas kësaj ulje të ndjeshme të importeve nga Serbia, unë pajtohem se duhet ulur më shumë e synojmë ulje të mëtejme përmes masave që do të marrim. Unë do të prezantoj dy shifra tjera, që ju bën të kuptoni dallimi në qeverisje. Krahasuar me periudhën e vitit 2018, kemi rritje rreth 38 për qind të importeve nga Shqipëria, e rritje 80 për qind të eksporteve drejt Shqipërisë. Ky është synimi afatgjatë i yni. Po ashtu kemi vlerën e 80 për qind të eksporteve me Maqedoninë e Veriut, një aleat tjetër i rëndësishëm për vendin tonë. Kemi strategji të saktë e peisazh të saktë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen, e duhet të keni durim e besim. Nuk jemi në vitin e fundit të mandatit, por në muajin e shtatë të tij”, ka thënë Kurti nga foltorja e Kuvendit.

E Haradinaj i është kundëpërgjigjur Kurtit, duke thënë se kur po krahasohet rritja ekonomike nga Qeveria, po merren parasysh vitet 2019 e 2020.

“Po ju konvenon manipulimi”, ka thënë Haradinaj, që e ka pyetur më pas Kurtin për heqjen e masës mbrojtëse dedikuar bllokave nga Serbia.

“Ia keni hequr një masë mbrojtëse, ka qenë e dedikuar për të vështirësuar konkurrencën për bllokadat e Serbisë që të mos ndërtohet me dheun e Serbisë shtëpitë në Kosovë, pasi kemi fabrika të bllokave në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

E Kurti ka thënë se atij vendimi për masë i ka skaduar afati dhe do të vlerësohet e shqyrtohet nëse është arritur qëllimi, para se të merret një vendim i ri.

11:35

Bislimi opozitës: Ju besoni se Kosova nuk duhet të ndihet e barabartë në raport me Serbinë

Zëvendëskryministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i është kundërpërgjigjur opozitës në Kuvendin e Kosovës, që e ka quajtur marrëveshjen për targa si më të dëmshmen ndonjëherë për Kosovën.

Bislimi në seancën në Kuvend ka thënë se për herë të parë targat e Serbisë me denoninime rajonale të Kosovës trajtohen si targa ilegale, pasi në qeveritë e kaluara ishin trajtuar si të Kosovës.

“Marrëveshja u cilësua nga ju si më e dëmshme se Zajendica, më e dëmshme se ajo për Energji e Drejtësi, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës. Një e vërtetë e madhe është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata që marrëveshjet paraprake i shohin të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe. Ata që marrëveshjet paraprake i shohin të këqija, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si të mirë. Diskutanti i dytë tha se z. Kurti po bën ‘show’ Unë pajtohem që ju reciprocitetin e shihni show. Po të mos ishte ashtu do ta bënit më herët. Thellë në vete besoni se Kosova nuk është e nuk duhet të ndihet si e barabartë në raport me Serbinë. Kjo ju gërryen shumë, nuk ju lejon të merrni frymë. Thatë se sot Serbia lëshon targa me denoninime të qyteteve të Kosovës, jo të nderuar ajo i lëshon ato nga viti 1999. Sot për herë të parë trajtohen si targa ilegale i nderuar. Diskutanti i tretë tha se Kosova filloi implementimin e një marrëveshje të vitit 2016. Është e pavërtetë”, tha Bislimi.

Bislimi ka kundërshtuar akuzat e opozitës se nuk është konsultuar bashkësia ndërkombëtare e as opinioni vendor para se të merrej hapi për reciprocitet të targave.

“Ky vendim i është komunikuar bashkësisë ndërkombëtare, ashtu edhe opinionit vendor, më 9 shtator, pra 12 ditë para fillimit të zbatimit. Deri sot nuk e kam ditur se Ministria e Brendshme duhet të konsultohen me kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së para se të marrë një vendim operativ. Dydekada Serbia ka lëshuar targa ilegale dhe ato janë pranuar nga Kosova. Janë pranuar, toleruar e janë lejuar të hyjnë edhe para ndërtesës së Qeverisë. Sa për informim më 27 tetor të vitit 2015, ja çfarë shkruan marrëeveshja e 27 tetorit të vitit 2015. Në këtë marrëveshje ku operacionalizohet liria e lëvizjes, në pikën e 4 thotë, për çështjen e stikersave, kjo nuk do të aplikohet për qytetarët e Kosovës që mbajnë targa të Serbisë me denoninime regjionale të Kosovës. Kjo marrëveshja targat KM i konsideron si targa të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bislimi, i cili gjatë fjalimit ishte penguar vazhdimisht nga deputetët e opozitës që bënin zhurmë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, më pas ka thënë se kjo marrëveshje do t’i shkaktojë dëm të madh Kosovës.

Bislimi i pyetur se pse marrëveshja është nënshkruar më 1 tetor e jo 30 shtator, ai ka thënë se arsyeja është refuzimi nga pala serbe fillimisht.

Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se në marrëveshjen e vitit 2015 targat e Serbisë me denoninime rajonale të Kosovës janë konsideruar si ilegale, ani pse kanë mundur të futen ilegalisht në Kosovë sidomos në veri.

Ai ka thënë se si po thuhet që këto targa janë ilegale e është nënshkruar marrëveshja, duke legalizuar autoritetin e Qeverisë së Serbisë në territorin e Kosovës.

E Bislimi ka lexuar marrëveshjen duke thënë se në asnjë pikë nuk përmenden targat KM.


Rizvanolli përsërit që Kosova nuk i ka humbur 200 milionët e MCC-së

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova nuk ka humbur mundësinë e shfrytëzimit të 200 milionë eurove, të financuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin që të mos e çojë përpara projektin e gazsjellësit.

Sipas saj, s’ka pasur një përgjigje finale se “a duhet gazi të përdoret si lëndë djegëse për tranzicion të energjisë” dhe kjo ka shtyrë Qeverinë të fokusohet në rrugë tjera për dekarbonizim. Ajo shtoi se nuk ka pasur përgjigjur as për koston totale të projektit.

“Nuk është humbur asnjë dollar i grantit. Ajo që kemi vendosur është thjesht që grantin ta shfrytëzojmë për projekte tjera, për dekarbonizim të energjisë. Në fakt, nëse gazi duhet të përdoret si lëndë djegëse për tranzicion është pikëpyetja më e madhe që e kemi pasur. Përderisa në vendet tjera po mendojnë për tranzicion nga gazi, ne jemi në periudhë me zero infrastrukturë të gazit, e shtete tjera në rajon kanë nisur që 10 vjet. Nëse është opsioni më i mirë për Kosovën nuk është e qartë. Kostoja totale nuk është ditur. Vendimi që kemi marrë dje s’është vendim final për të mos ndërtuar infrastrukturën e gazit, por që këto mjete të shfrytëzohen në një investim që ne jemi të bindur që duhet të ndodhë. Në fakt, granti i MCC-së s’ka qenë plani ta financojë gazsjellësin, por disa gypa të Sharcemi dhe Ferronikeli e të ketë input për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e termocentralit me gaz. Gypi nga Maqedonia ka qenë i planifikuar të vijë nga ana jonë me kredi. Kjo mundësi ende ekziston. Nëse vjen puna që ne ta bëjmë këtë, kjo do të jetë kur të jemi të bindur që është opsioni më i mirë”, ka thënë ajo.

11:14

Haradinaj për projektin e gazit: Ekspertët e Qeverisë u thanë jo inxhinierëve të ushtrisë amerikane

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për projektin e gazit, duke thënë se Qeveria Kurti i ka refuzuar 200 milionë eurot e presidentit amerikan Joe Biden.

“Qeveria Kurti ka marrë dy vendime të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën. Njëra është marrëveshjet për targa dhe tjetra është refuzimi i projektit të gazit. I ka thënë jo Amerikës, por edhe partnerëve të tjerë si BERZH. MCC ka shpenzuar mbi 3 vjet dhe 10 milionë dollarë për studimin e fizibilitetit të gazit, ka angazhuar inxhinierë të ushtrisë amerikane dhe këta ekspertët e Qeverisë tonë i thanë jo. Nuk i besuan inxhinierëve të ushtrisë amerikane. Kurti i tha jo Amerikës, refuzoi 200 milionët për Bidenin. Kjo është e dëmshme. Thirrja për dorëheqje e kësaj Qeverie është legjitime, por paraprakisht duhet ta kthejnë projektin për gazin”, potencoi Haradinaj.


Shala: Jeni marrë vesh në Bruksel me Serbinë për çështjet tona

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, ka deklaruar se Qeveria është marrë vesh në Bruksel me Serbinë për çështjet e shtetit të Kosovës.

Me marrëveshjen e Brukselit për çështjen e targave, Shala tha se qeveria e ka kthyer një pjesë të territorit në një zonë neutrale.

“Ju jeni marrë vesh në Bruksel me Serbinë për çështjet tona, jeni marrë vesh me Serbinë edhe për çështjen e KFOR-it, po pse. Pra, ktheni pjesë të territorit tënd në kuptimin formal juridik në një zonë sigurie neutrale. Po ju thanë që ne vendosim si shtet sovran, marrim vendime sovrane, i mbrojmë vendimet sovrane, e si bënë që në të njëjtën kohë bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë e jemi sovran, e pastaj s’jemi sovran as përballë tyre sepse marrëveshjen e bëjmë me Serbinë. Pse duhet Kosova të merret vesh me Serbinë, pra që të qojë Policinë në aksione të cilat janë të nevojshme e të domosdoshme që të garantojë rendin, sigurinë, që të garantojë zbatimin e ligjit. Pse duhet Kosova të negociojë dhe të pajtohet me Serbinë për targat të cilat i bartin qytetarët tanë, e kam fjalën për serbët kosovarë”, ka thënë ai.

11:03

Gashi Qeverisë: Keni zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kundërshtuar marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel për çështjen e targave.

Gashi ka theksuar se me pranimin e targave KM, PR, PZ e të tjera, Qeveria i ka zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë.

“Pas ‘shout’ të para dy javëve, ku kryeministri doli me pompozitet përpara kësaj foltore për aksionin në veri dhe tani rezultatet e asaj janë të dhimbshme. Kur i thashë kryeministrit se po bën shou dhe se veprimet e Policisë duhet të jenë institucionale, deputetët përballë këtu bënin zhurmë dhe qaravesheshin. Ajo që po shohim ne sot, kemi një marrëveshje mes Qeverisë për tërheqjen e forcave policore nga veriu. Pse duhet Kosova të bëjë marrëveshje për t’i tërhequr trupat nga territori vet? Kjo është pyetje legjitime. Marrëveshjen e parë që e bëri kjo Qeveri është pranimi i strukturave dhe targave ilegale KM, PR, PZ për t’i bërë legale. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi vetëm para marrëveshjes deklaroi se këto targa janë ilegale dhe më pas i pranoi ato. Ju keni nënshkruar një marrëveshje ku këto targa që lëshohen nga Serbia njihen brenda territorit të Kosovës. Asnjë qeveri nuk e ka bërë një gjë të tillë. Por e keni bërë ju falë një sjellje euforike dhe të pakoordinuar. Sot, për herë të parë Serbia lëshon targa brenda Kosovës. Keni zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele serbe në Kosovë. Jeni kthy 10 vjet mbrapa të paktën, ju që keni hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për marrëveshjet e tjera. Ky është një krim që ju e keni bë”, deklaroi Gashi.


Berisha pyet Kurtin: A duhet Njësia Speciale të marrë leje nga KFOR-i për të shkuar në veri?

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në seancën e Kuvendit e pyetur kryeministrin Albin Kurti, nëse duhet që Njësia Speciale të marrë leje nga KFOR-i për të shkuar në veri.

“Kosova mund ta konsideroj fitore marrëveshjen e vitit 2015, por është e paqartë çka ka ndodh me targat ilegale, e megjithatë Njësia Special është humbëse në këtë rast. Fillimisht, janë ekspozuar, e më pastaj kanë duruar sharjet e fryrjet e serbëve. A ka nevojë Njësia Speciale të marrë leje nga KFOR-i për të shkuar në veri apo jo”, ka thënë Berisha.

10:52

Tahiri: Qeveria nënshkroi marrëveshjen më të dëmshme që nga paslufta

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel për reciprocitetin me targa mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo është marrëveshja më e dëmshme për vendin tonë që nga paslufta.

Sipas Tahirit, Qeveria është duke implementuar Zajednicën me kompetenca ekzekutive.

Sot dy javë më parë, ndodhi reciprociteti me targat. Vendim ky i pakonsultuar me askënd, as me ne si parti opozitare, as me partnerët, por padyshim ne vendosëm ta mbështesim. Çdo vendim që Qeveria e Kosovës e bën karshi Serbisë, ne e përkrahim. Dy javë mbrapa jemi në një situatë tjetër, që nuk do ta kishte dashur asnjë qytetar i Kosovës. Për dy dekada Serbia ka lëshuar targa që nuk janë njohur nga Qeveria jonë. Dhe ajo arriti që me këtë marrëveshje t’i legalizonte targat KM, PR, PZ e të tjera që i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës. Ku është ‘shou’ i kryeministrit me ato tabela si para dy jave. Këto targa lëshohen nga Serbia për qytetarët e Kosovës tashmë legale. Kujt i paguajnë tatim këta qytetarë që i marrin këto targa. Është duke u implementuar Zajednica me kompetenca ekzekutive. Për dy dekada nuk ka pas marrëveshje më të dëmshme për Kosovën. Për punën e stikersave, Vuçiqi e Kurti bashkë me ministrat i marrin nga 5 euro për to. I kërkojmë Qeverisë ta ndalë këtë dëmtim të hovshëm. Hera e parë që prej shpalljes së Pavarësisë që KFOR-i e përmendi dje në komunikatë rezolutën 1244. Nuk ka marrëveshje që e ka dëmtuar më shumë shtetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.


LVV mbron marrëveshjen në Bruksel: Maltretimit 10 vjeçar të qytetarëve po i vjen fundi

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës e ka mbrojtur marrëveshjen e Qeverisë Kurti me Serbinë për targat e automjeteve në Bruksel. E njëjta, sipas partisë në pushtet e sjellw reciprocitetin me shtetin fqinj dhe i sjellw Kosovës disa përfitime. Ndërkohë, vlerësuan se sagës 10 vjeçare të maltretimit të qytetarëve gjatë kalimit në Serbi do t’i vjen fundi.

Në seancën e sotme plenare, deputetja Fatimire Kollçaku, goditi edhe ish-qeverinë Mustafa, ku tha se kishte pranuar t’i legalizoi targat e lëshuara në Serbi me shkurtesa të qyteteve të Kosovës.

“Për herë të parë veturat me targat e lëshuara në Serbi me shkurtesa të qyteteve të Kosovës do të trajtohen si targa të një shteti që nuk e njohim. Do të detyrohen të pajisjen me afishe ngjitëse. Sa për rikujtim në kohën e ish Qeverisë Mustafa duke përjashtuar këto targa në marrëveshjen për afishet të nënshkruara mw 27 tetor të vitit 2015 kishte pranuar t’i legalizoi ato dhe t’i trajtoi si targa të rregullta të Kosovës. Me marrëveshjen e 30 shtatorit, kjo më nuk do të ndodh. Përmes grupit punues që ka për detyrë të gjejë një zgjidhje në gjashtë muajt e ardhshme, sagës 10 vjeçare të maltretimit të qytetarëve tanë gjatë kalimit në Serbi përfundimisht do t’i vije fundit”, tha ajo.

Në foltoren e Kuvendit, deputetja e mazhorancës tha se kjo marrëveshje as nuk është historike, e as nuk pretendohet të arrihet njohja defakto nga Serbia, siç është deklaruar nga marrëveshjet e kaluara.

Sipas saj, marrëveshja ka vetëm një të metë, e cila është dashur të arrihet dhe zbatohet shumë vite më herët.

“Forcat e KFOR-it janë vendosur në vendkalimet kufitare për të qartësuar edhe një herë që nuk do të lejohet asnjëherë provokim nga ana e politikës konflikt nxitëse të Beogradit. Për ata që kanë pritur zgjidhjen e të gjithë problemeve përmes kësaj marrëveshje mbase mund të ndihen të zhgënjyer, pasi kjo marrëveshje nuk është as nuk pretendon të jetë historike, siç prezantohej secila marrëveshje me Serbinë. Kjo marrëveshje as nuk e sjellw as nuk pretendon të sjellw njohjen defakto nga Serbia, siç trumbetohej në 23 marrëveshjet paraprake”, shtoi Kollçaku.

10:31

Nis seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur punën për seancën e sotme.


Nuk votohet raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale

Kuvendi nuk e miraton raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020-të.

Me 28 vota për, 51 kundër dhe 2 abstenime, raporti nuk u miratua, siç konstatoi kryekuvendari Glauk Konjufca.

08:20

Kuvendi sot me dy seanca

(Kosovapress) - Sot në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë seanca plenare, për të pasuar më pas me seancë të re.

Në seancën vazhduese që do të fillojë në orë 10:00 do të jetë votimi i raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020-të.

Ndërsa në seancën e re plenare do të jenë 12 pika në rend të ditës.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-030 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “ Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-031 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara,

8. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025,

9. Shqyrtimi i Planit të Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane,

10. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”,

11. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime, në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”,

12. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të ankesave të mediave.