6 perditesime
19:08

Dëshmitari i tretë thotë se ushtarët e UÇK-së urinuan mbi të

Saranda Ramaj

Për disa orë dëshmitari i tretë kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka rrëfyer krimet që pretendon se kanë ndodhur në Zllash.

Vetë ai pretendon se është mbajtur 17 net. E sipas tij të rralla kanë qenë rastet kur nuk është maltretuar.

“Jam ndier shumë keq. Kemi pritur vetëm kur po na vjen vdekja. Nuk ke pasur çfarë të ndiesh tjetër e të mendosh. E kemi pritur sot a nesër kur po na mbysin”, tha ai.

Vendi ku po i mbanin, sipas këtij dëshmitari, ishte një ndërtesë dykateshe. Në katin e dytë, sipas këtyre pretendimeve, ishte pjesa ku maltretoheshin, e poshtë ka thënë se kushtet ishin shumë të këqija ku ka pasur vetëm tri qebe për t’u mbuluar.

Prokurorja Silva D’Ascone ka insistuar te dëshmitari që t’i shpjegojë mënyrat e maltretimit që i kishte përjetuar.

“Më kanë goditur me bisht të sëpatës, më kanë goditur me shufra metalike. Më kanë rrahur në forma të ndryshme. M’i lidhnin këmbët me tela të rrymës, më jepnin dridhje, e kështu. Më kanë djegur me qiri, duke më ulur në karrige, qiriun ma afronin afër shpinës”, tha dëshmitari.

Nga kjo prokurore ai është pyetur nëse është dhunuar seksualisht. Ka mohuar që i ka ndodhur një gjë e tillë, por pretendon se derisa disa ushtarë të UÇK-së fillimisht e rrihnin dhe e shtrinin për tokë, pastaj uronin mbi të. E kjo, sipas tij, ka ndodhur të paktën dy herë.

Ai pretendon se kishte dalë në mal për t’iu bashkangjitur UÇK-së, por pastaj ishte marrë nga njësia e Zllashit ku drejtues ishte Salih Mustafa- Cali.

Vullnetarisht, sipas tij, kishte shkuar në afërsi të shkollës në Zllash, për t’u stërvitur që të bëhej pjesë e UÇK-së, derisa nuk erdhi njësia që udhëhiqej nga Komandant Cali për t’i marrë, e siç pretendon i dërguan më pas në burgun e UÇK-së.

“Kur më dërguan brenda një ndërtese, aty kish qenë një komandant i tyre, edhe ishte i ulur aty. Kështu përballë dhe më tha kush je ti. I tregova, më tha pse ke ardhur këtu. I thashë kam ardhur të kyçem në ushtri të kontribuoj diçka. Më tha pse po gënjen. Filloi të më bërtiste, u ngrit, më goditi, dhe filluan të më rrihnin të gjithë”, tha dëshmitari.

Fillimisht ka thënë se nuk e kishte ditur që komandant aty ishte Cali, por me vonë e kishte kuptuar ngase edhe të tjerët e thërrisnin në këtë nofkë.

Ky kosovar ka deklaruar se pikërisht Salih Mustafa ishte personi i parë që kishte filluar ta rrihte e më pas i ishin bashkuar edhe ushtarë të tjerë.

Në këtë seancë pyetjet e tyre i ka përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa të martën do të vazhdojë intervistomi i tij nga zyra e viktimave, mbrojtja e Gjykata.

15:21

Dëshmitarit i prezantohet objekti ku pretendohet se është mbajtur

Ermir Bujupaj

Dëshmitarit të tretë në rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, i janë prezantuar disa fotografi nga Prokuroria, lidhur me vendqëndrimin ku pretendohet se është mbajtur e keqtrajtuar.

Pamjet nuk janë bërë publike për audiencën, megjithatë është sqaruar që kanë të bëjnë me lokacionin ku dëshmitari në fjalë e disa persona të tjerë janë mbajtur.

Dëshmitari i është përgjigjur pyetjeve të prokurores Silvia D'Ascoli, duke bërë me dije se është në dijeni për çfarë pamjesh bëhet fjalë.

“Nëse nuk gaboj, këtu më duket se është ajo shkolla ku unë jam paraqitur. Nuk jam i sigurt shumë por kështu ka qenë një lloj objekti si shkollë, kjo duhet me qenë ajo ku kam qëndruar 4-5 ditë dhe ku kam bërë ushtrime”, ka thënë ai.

Dëshmitari ka rrëfyer edhe për plagët i ka marrë nga keqtrajtimet, duke theksuar se disa prej tyre ende i ka të freskët.

“Kam pasoja edhe sot e kësaj dite. Jam i djegur në dorë, i prerë në krah. Kokën e kam të dëmtuar në 7-8 vende, të parit e kam humbur në syrin e majtë. Kam shumë gjëra që i vuaj edhe sot. Kam shkuar të mjekohem pas rreth 3 muajsh. E kam pasur një operim në gojë prej infeksionit edhe kam shkuar nëpër shumë mjekë”, ka thënë.

I pyetur nga Prokuroria për gjurmët që këto keqtrajtime i kanë lënë, dëshmitari ka theksuar se vazhdon të mos pushojë sa duhet.

“Vetëm ëndërr kur e shoh apo i dëgjoj ata zëra, më duket shumë. Përpos këtyre pjesëve që i barti edhe sot me pasoja, kam shumë probleme.”

13:33

Dëshmitari: Po prisnim vetëm kur do të na mbysnin

Prokuroria Silvia D’Ascoli e ka pyetur dëshmitarin e tretë në rastin e Salih Mustafës, për kushtet në objektin ku po mbahej.

“Nja dy-tri herë në ditë, një copë të vogël bukë na kanë dhënë. Gjysmë buke e kemi ndarë në gjashtë apo tetë pjesë, varësisht sa kemi qenë. Na binin gjysmë buke çdo dy ditë, nganjëherë edhe tri. Nuk ke guxuar me kërkuar asgjë hiq”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se kanë fjetur kryesisht në tokë, gurë e dhe.

“I kemi pasur tri qebe, ia kemi dhënë njëri-tjetrit, varësisht se cili ishte më keq. Më thjeshtë kemi fjetur në tokë, gurë e lagështi”, tha dëshmitari.

Ai ka thënë se nuk kanë pasur mjaftueshëm ujë për të pirë e lëre më për t’u larë dhe se nevojat i kanë kryer brenda një kove aty në objektin ku mbaheshin.

Për ndihmë mjekësore, ai ka thënë se vetëm nëse kanë mundur të ndihmojnë njëri-tjetrin se nuk kanë guxuar të kërkojnë.

“Nuk ke guxuar me kërku as ujë, as gjë, sepse ja ke bërë vetes, të kanë rreh”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se kanë pritur vetëm vdekjen.

“Jam ndjerë shumë keq. Kemi pritur vetëm kur po na vjen vdekja. Nuk ke pasur çfarë të ndiesh tjetër e të mendosh. E kemi pritur sot a nesër kur po të mbysin”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka treguar se kur i liruan, hynë dy persona i thirrën me emër. Ndërsa dolën shumica, me përjashtim të tre që mbetën brenda.

Ai ka thënë se një prej personave që u hapi derën e tha të largohen ishte Fatmiri.

Seanca më pas ka kaluar në dyer dhe mbyllura, ndërsa të pranishmit kanë shkuar në pauzë.

12:19

Dëshmitari: Më kanë djegur me qiri dhe rrymë elektrike

Saranda Ramaj - Ermir Bujupaj

Dëshmitari i tretë në rastin e Salih Mustafës, ka deklaruar se e kanë rrahur dhe maltretuar në forma të ndryshme.

Në pyetjet e Prokurorisë për metodat e maltretimit, dëshmitari ka thënë se e kanë goditur me mjete të ndryshme të forta, djegie me qiri dhe me rrymë elektrike.

“Më kanë goditur me bisht të sëpatës, më kanë goditur me shufra metalike. Më kanë rrahur në forma të ndryshme. M’i lidhnin këmbët me tela të rrymës, më jepnin dridhje e kështu. Më kanë djegur me qiri, duke u uluar në karrige, dhe qiriun ma afronin afër shpinës”, pretendon ai.

Dëshmitari ka theksuar se nuk është maltretuar seksualisht, por që kanë urinuar mbi të.

Prokurorja D'Ascoli: Kur ju ishit i ndalur në stallë sa shpesh ju kanë rrahur?

Dëshmitari: Pothuajse çdo ditë, ndoshta ka ndodh ndonjë ditë që s’më kanë rrahur shumë e me shpëtuar me pak, por pothuajse çdo ditë kom pas rrahje.

Silvia D'Ascoli: Çfarë ju bënë ju në stallë?

Dëshmitari: Kush e ka hap derën pa të goditë me ndonjë shqelm a boks apo diçka nuk ke shpëtuar.

D'Ascoli: Kjo ju ka ndodhur edhe personave të tjerë që mbaheshin?

Dëshmitari: Edhe për mua edhe të tjerët.

D'Ascoli: Çka mund të thoni për katin e sipërm?

Dëshmitari: Aty ndodhte një rrahje që nuk mund ta marrësh me mend.

D'Ascoli: Përdorimi i këtyre instrumenteve ndodhnin tek dhoma sipër apo jo? A ju kujtohet sa njerëz ishin të përfshirë në rrahje?

Dëshmitari: 3-4, ndonjëherë ka ndodh edhe 5.

D'Ascoli: A bëhej fjalë për ushtarë të njëjtë?

Dëshmitari: Ka ndodhur të jenë edhe të ndryshëm.

D'Ascoli: Rrahjet a ndodhnin në sy të tjerëve dhe kur dërgoheshin siper a merreshin individualisht?

Dëshmitari: Jo kështu në grup por na kanë marrë një nga një.

D'Ascoli: A i keni dëgjuar nofkat e personave?

Dëshmitari: Po disa nofka më kanë mbetur në kokë. Ka qenë Tabuti, Vela, Afrimi, një tjetër me Adnan, një Fatmiri.... këta më kanë mbetur në kokë. Këta kanë qenë më të mëdhenj.

D’Ascoli: Çfarë kishin veshur këta persona?

Dëshmitari: Rroba të zeza por ka ndodhur ndonjëherë që me qenë të veshur normal kështu.

D'Ascoli: A mbani mend detaje të tjera të këtyre uniformave?

Dëshmitari:I kanë pas disa emblema, ju shkruhej “BIA”.

D'Ascoli: E përmendet Tabutin, a është pseudonim?

Dëshmitari: Mbas një kohë më vonë e kam kuptuar që e ka emrin Nazif.

D’Ascoli: A e dini çfarë kuptimi ka kjo nofkë?

Dëshmitari: Ne i themi tabut kur njeri vdes, e çojnë te varri.

D’Ascoli: A doni të thoni arkivol?

Dëshmitari: Po, ashtu.

11:19

Dëshmitari i tretë rrëfen kohën kur ishte nisur t’i bashkohej UÇK-së

Saranda Ramaj - Ermir Bujupaj

Po vijon dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të tretë në Gjykatën Speciale, ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Dëshmitari ka rrëfyer kohën kur ishte nisur t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte intervistuar nga “njësia speciale”. Ai ka përmendur edhe emra që sipas tij kanë qenë pjesë e kësaj njësie, të cilin e kanë keqtrajtuar fizikisht.

Prokuroria ka 7 orë në dispozicion për intervistimin e dëshmitarit.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra, na thatë që shkuat të kyçeni në UÇK, mund të na thoni se ku shkuat?

Dëshmitari: Ne vazhduam të shkonim me disa shokë, vazhduam për në Mramur, nëpër male, ashtu vazhduam edhe dolëm në një fshat Mramur.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë gjetët në Mramur?

Dëshmitari: Në Mramur shkuam në një shkollë, aty kishte pasur njerëz, dhe aty qëndruam një natë dhe i pyetëm njerëzit tjerë se ku është UÇK-ja që po duam të kyçemi në luftë, edhe të nesërmen na treguan dhe vazhduam për në Zllash

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë bërë pastaj pasi shkuat në Zllash?

Dëshmitari: Pasi shkuam në Zllash, shkuam te një shkollë tjetër, aty u lajmëruam. Aty kishte pasur disa ushtarë, kish qenë një komandat, u lajmëruam aty, na morën shënimet dhe qëndruam aty.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet emri i këtij komandanti epror?

Dëshmitari: Fatmir Sopi edhe ai tjetri Adem Shehu, edhe një Triumfi, kështu i thonin sa më kujtohet.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Shkuat tek ata, të morën të dhënat dhe qëndruat aty. Çka bënë te shkolla e Zllashit?

Dëshmitari: Çdo ditë dilnim, kemi bërë stërvitje, disa ushtrime i kemi bërë me Adem Shehun dhe Triumfin, dhe pas 4-5 ditësh erdhn në një njësi tjetër dhe më morën.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Para se të arrijmë aty, thatë se gjetët këta komandantrë në shkollën e Zllashit. A e di cila njësi e UÇK-së ndodhej në shkollën e Zllashit?

Dëshmitari: Sa e di, ka qenë Brigada 153, ku jemi lajmëruar ne. Ku na kanë sjellë, ku kemi qëndruar ato ditë dhe jemi stërvitur.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mund të na përshkruani disa prej aktiviteteve të trajnimit që keni bërë?

Dëshmitari: Ato stërvitje kanë qenë më poshtë se shkolla, disa kanë qenë kështu zvarrë, me u ngjitë lartë, disa si lloj ushtrimesh të ushtrisë. Fatmir Sopi na ka marrë shënimet, me Adem Shehun na ka rënë të dalim në stërvitje, aty i kam njohur, aty i kam parë të gjthë, s’kam njohur askënd.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Si i mësuat emrat e tyre?

Dëshmitari: Aty i dëgjoje edhe prej të tjerëve, sepse ka pasur shumë djem të rinjë që janë kyçur para neve. Edhe para nesh ka pasur njerëz dhe na tregonin se Brigada 1532 është e Fatmir Sopit, Adem Shehur dhe Triumfit.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A e mbani në mend se me sa personi të tjerë jeni stërvitur ju?

Dëshmitari: Nuk e di saktë, por mund të themi se në atë shkollë kanë qenë shumë, ndoshta kanë qëndruar deri 40 apo 50 vjet. Kështu djem të rinjë sikur ne, që janë shkuar të kyçur.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Sa qëndruat në shkollë?

Dëshmitari: 4 ditë, në të 5-n vetëm kanë ardhur të na marrin një grup tjetër.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Kush erdhi?

Dëshmitari: Nuk e kam njohur, erdhën 4 ushtarë, ashtu në rroba të teza, ‘Skifterat’ si e kam kuptuar, si një lloj njësie speciale diçka.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ju thatë që ishin katër ushtarë të veshur me rroba të zeza, uniforma të zeza, a ishin të armatosur? A kishin ndonjë shenjë dalluese në uniformat e tyre?

Dëshmitari: Disa emblema, mandej e kam kuptuar se shkruhej “BIA”.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra, a patë ndonjë shkrim në këto emblemat apo në këto pjesët dalluese që kishin personat?

Dëshmitari: Krejt çfarë kam dalluar, ka qenë ajo BIA.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mund të na thoni se çfarë ndodhi kur mbërritën këta ushtarë?

Dëshmitari: Këta ushtarë, unë isha duke qëndruar në oborr të shkollës, aty edhe u afruan më pyetën: Si e ki emrin. Iu tregova, edhe tani qëndruan me mua aty. Njëri u fut brenda, edhe pastaj doli ai dhe tha eja se kemi punë me ty pak. Po dëshiron komandanti të bisedojë me ty.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Dhe çfarë bërë ti kur të than që duhet të shkoje me ta?

Dëshmitari: U nisa me ta. Veç më thanë që do të bisedojë komandanti edhe u nisa. Nuk kam menduar asgjë. Edhe s’ke pasur çka të mendosh, me katër persona edhe me të shkuar mendja të mendosh diçka, nuk ke mundur.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A u prezantuan, a thanë kush ishin me emër ose nofkë?

Dëshmitari: Kanë thënë ne jemi njësi speciale, Skifterat. Ashtu diçka kanë thënë, edhe duhet të vazhdosh të vish me neve.

Vazhduam atë rrugë, ashtu kemi ecur, edhe shkuam në një vend që nuk e di as et. Ishte hera e parë në jetën time që kam qenë aty. Kur u afruam, ata thanë ule kokën edhe më nuk dija as ku po më dërgojnë, e as çka po bëhet. Kur jemi afruar afër disa objekteve, më kanë vendosur një thes të zi në kokë edhe më dërguan në një objekt diku brenda.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çka ndodhi?

Dëshmitari: Kur më dërguan brenda një ndërtese, aty kish qenë një komandant i tyre, edhe ishte i uluar aty. Kështu përballë dhe më tha kush je ti. I tregova, më tha pse ke ardhur këtu. I thash kam ardhur të kyçem në ushtri të kontribuojë diçka. Më tha pse po gënjen. Filloi të më bërtiste, u ngrit më goditi, dhe filluan të më rrihnin të gjithë.

Prokurorja Silivia D’Ascoli: Ju thatë që ju dërguan brenda një ndërtese që kishte një komandat atje. Këta ushtarë të tjerë a vazhduan të qëndronin në një njëjtën dhomë me ju? Komandanti a u prezantua se kush ishte?

Dëshmitari: E kam kuptuar, jo menjëherë, por mandej e kam kuptuar. Edhe duke dëgjuar ‘komandant Cali’

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A dëgjuat ushtarë të tjerë që i drejtoheshin komandantit në ndonjë lloj mënyre?

Dëshmitari: Veç me atë fjalën ‘komandant’. Në fillim kur më kanë ngritur i thanë: komandant ja e sollën këtë djalin. Dhe e kam parë që ishte komandant aty sepse i drejtoheshin të gjithë.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë do të thuash se më vonë e ke mësuar që ishte komandanti ai?

Dëshmitari: Jo, ai komandanti e dija që shkova para një komandanti, si më kanë dërguar. Por emër ose diçka të tij nuk i kam ditur. Ai nuk u prezantua, vetëm më dërguan para tij.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pasi u dërguat brenda kësaj dhome, a mundët të shihni, sytë i kishe të mbuluar apo jo?

Dëshmitari: Më hoqën thesin, sikur me juve këtu.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet se çfarë kishte veshur komandanti?

Dëshmitari: Vetëm një xhaketë të ushtrisë si me ngjyra.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A kishte ndonjë shënim, a ka ndonjë detaj tjetër që mbani mend nga mënyra si ishte veshur ai?

Dëshmitari: S’e mbaj mend.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra ju na thatë që ai ju pyeti, çfarë ju tha specifikisht dhe çfarë përgjigjeje dhatë ju?

Dëshmitari: Më pyeti pse keni ardhur këtu. I tregova që kam ardhur të kyçem në ushtri të kontribuoj si shumë të tjerë. Ai më tha pse po gënjen, sepse ke ardhur për qëllime të tjera.

Prokurorja Silvia D’Ascoli: A ju shpjegoi ai arsyet pse ju kishin çuar në atë vend?

Dëshmitari: Asgjë, absolutisht.

D'Ascoli: A ju tha juve ky person që ishit nën arrest?

Dëshmitari: Jo, jo nuk më tha as nën arrest as asgjë, veç që më ka pyetur për çka ke ardhur këtu.

D'Ascoli: A mund të mendoni për ndonjë arsye se pse komandanti të tha ty se ti po gënjeje?

Dëshmitari: Jo, nuk e di. I kanë pas metodat e veta, procedurat e veta, çka di unë, nuk di.

D'Ascoli: Çfarë bëri komandanti ndërkohë që po të merrte në pyetje?

Dëshmitari: Me disa britma, pse po rren, trego çka ke ardhur, kësi sende edhe shante. Edhe u çu më sulmoi, ia nisi të më rrah edhe filluan këta të tjerët tani.

D'Ascoli: Mund të na thuash si ju rrahu?

Dëshmitari: Më ka mëshuar shuplakë i pari, tani kanë filluar edhe këta prapa çka i kam pasur.

D'Ascoli: Dhe si të rrahën të tjerët?

Dëshmitari: Të tjerët boksa, shqelma, qaty për momentin derisa veç më alivanosën.

D'Ascoli: A dëgjuat ndonjë person që jepte urdhra të tjerëve që të rrihnin ty?

Dëshmitari: E kam dëgjuar veç kur ka filluar ky. Më ka mëshuar shuplakë, ka thënë mbyteni krejt

D'Ascoli: A mund të na thuash si përfundoi e rrahura?

Dëshmitari: E rrahura përfundoi deri në alivanosje, më kapën zvarrë dhe më qitën, më gjakosën krejt.

D'Ascoli: Ku të tërhoqen zvarrë?

Dëshmitari: Prej asaj dhome aty, më larguan jashtë, më çuan me një ahur, një stallë

D'Ascoli: Përpara se të kalojmë te ahuri, do të doja të qartësoja disa prej aspekteve të dëshmisë që keni dhënë deri tani, me lejen e trupit gjykues, dua t’i tregoj disa transkripte për të rifreskuar kujtesën e tij.

D'Asoli: A mbani mend që keni dhënë një dëshmi për ZPS-në në 2019-n, jeni intervistuar nga një prokuror i ZPS-së me datën 5 qershor 2019, a e mbani mend këtë datë?

Dëshmitari: Datën nuk e mbaj mend, e di që jam intervistuar prej një prokurori dhe ka pasur aty prej një deklaratës të vjetër, kemi pas disa që s’kemi mundur t’i kuptojmë. Po jam intervistuar prej një prokurori të juaj.

D'Asoli: A e keni dhënë atë deklaratë lirshëm dhe në mënyrë vullnetare?

Dëshmitari: Po.

D’Ascoli: A jeni kërcënuar apo detyruar në ndonjë lloj mënyre për të dhënë atë deklaratë?

Dëshmitari: Ajo ka qenë edhe dëshirë, gjithçka në rregull ka qenë.

D'Ascoli: A jeni përgjigjur pyetjeve të bëra nga prokurori me njohuritë dhe dijenitë më të mira?

Dëshmitari: Aq sa kam mundur të mbaj mend, kemi pas disa, nuk kemi mundur të kuptojmë mirë me to përmes asaj deklaratës së vjetër. Po aq sa kam mbajtur mend dhe që mbaj mend, jam munduar me ia tregu. Të vërteta aq sa mbaj mend, të vërteta janë.

D'Ascoli: A e mbani mend që kur u dërguat në këtë ndërtesë, u prezantua se ishte komandant Cali?.

Dëshmitari: Po aty e kam ditur që është ky komandant Cali, edhe i kam dëgjuar edhe këta kolegët e tij duke e thirrë “Cal”,e kam dit që është ky komandant Cali.

Shfaqet një pjesë e deklaratës dëshmitarit, por që nuk shihet për publikun.

10:19

Nis seanca ndaj Mustafës

Ka nisur vazhdimi i seancës ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Ky i fundit është duke përcjellur seancën përmes videolidhjes, derisa sot pritet të dëgjohet dëshmitari i tretë.

08:15

Sot vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës

Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, në Dhomat e Specializuara.

Procesi pritet të nis në ora 09:30, derisa do të dëgjohet dëshmitarit i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitarët e ZPS-së kanë nisur dëshmitë e tyre nga 20 shtatori, ku deri më tani janë dëgjuar dy prej tyre.