Fatbardha Restelica, hulumtuese në organizatën “INDEP”, ka thënë se konsumatorët në Kosovë po ankohen çdo ditë e më shumë lidhur çështje të ndryshme që shkelin të drejtat e tyre.
Restelica ka thënë në “60 minuta” të KTV-së se këto ankesa kanë të bëjnë me rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme, duke e bërë këtë në shumë raste me marrëveshje mes bizneseve, që bie ndesh me ligjin për konkurrencën, e deri te dallimet mes çmimeve të vendosura nëpër rafte me çmimet të cilat u faturohen nëpër arka të marketeve.
“Ka pasur shumë ankesa, konsumatorët vazhdimisht kanë raportuar se çmimet në raft janë gjithmonë çmime më të ulëta, ndërkaq kur mbërrijnë te arka ato janë të kundërta. Kemi pasur raportime për zinxhirët e supermarketeve. Ankesat vijnë kryesisht drejtuar këtyre bizneseve. Kemi pasur reklamime të rrejshme se një produkt është në zbritje, ndërkaq kur kanë mbërritur në market ato nuk kanë qenë fare në zbritje”, ka thënë Restelica.
Ajo ka bërë të ditur po ashtu, se në shumë komuna të Kosovës, konsumatorët kanë raportuar se janë ngritur me marrëveshje mes bizneseve, çmimet e kafeve nëpër restorante.
“Konsumatorët janë ankuar për rritje të dakorduar të çmimeve, sidomos për kafen, në komunat më të vogla. Kjo është ndesh me ligjin. Ligji për konkurrencën e ndalon këtë. Ne e kemi ngritur këtë çështje në platformën tonë”, ka deklaruar Restelica.
Sipas saj, të gjitha këto ankesa nga INDEP-i dërgohen në Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorit, e të cilat më pas dërgohen në Inspektoratin e Punës që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.
Ajo ka folur edhe lidhur me ankesat e muajve të fundit të qytetarëve për operatorët kabllorë, të cilët siç ka thënë, nuk po i lejojnë konsumatorët për shkëputje të kontratave e po ashtu po bëjnë manipulime me listën e kanaleve.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka raportuar së fundmi se në Kosovë ka pasur rritje të çmimeve të produkteve të ndryshme për rreth 1,2%. Ngritja e çmimeve është vërejtur tek perimet, qumështi, djathi, vezët dhe shërbimet lidhur me pajisjet e transportit personal.