Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës pritet të përballet me padi në gjykatë për dënimet e shqiptuara ndaj bizneseve.
Përfaqësues të disa prej tyre pretendojnë se inspektorët janë duke bërë gabime në shqiptimin e dënimeve, duke mos iu referuar në mënyrë të duhur legjislacionit në fuqi.
Isuf Zejna është përfaqësues ligjor i pesë bizneseve, të cilat kanë fituar betejën ndaj ankesave të bëra kundrejt AUV-it. Ai thotë se do të kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar dhe atë të fitimit të munguar.
"Prej shkresave, procesverbaleve, fletë lëshimeve që i kemi parë, mund të vijmë te ky konkluzion që po i referohen gabimisht dispozitave ligjore, andaj edhe po supozoj që janë inspektor të ri. Nëse janë inspektorë të vjetër duke i interpretuar në këtë formë dispozitat ligjore, kjo është më keq sesa me qenë inspektorë të ri”, tha Zejna.
Në anën tjetër, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës thonë se gjatë muajit shtator kanë pranuar 62 ankesa, prej të cilave 95 për qind janë hedhur poshtë.
“Gabimet që bëhen sigurisht që ne duhet të i vlerësojmë ato në secilin rast që bëhen por duhet të na mirëkuptoni që kemi një grup të inspektorëve që kanë ardhur të rinj, por që në mbi 95 të rasteve kanë pasur të drejte dhe puna e tyre po përkthehet në uljen e numrit të infektuarve në teren”, ka deklaruar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Ankesa për shqiptimin e dënimeve, qoftë me gjobë apo edhe me mbyllje të bizneseve, ka edhe Shoqata e Gastronomëve.
Arian Vranica thotë se telashet në zbatimin e masave i kanë edhe për shkak të moskonsultimit paraprak.
“Qeveria do të ishte ishte dashur të ketë kontakte më të shpeshta, t’i kuptojë informatat prej nesh, sepse ne po ballafaqohemi me to dhe t`i informojmë më shpejtë në kuptim të ndryshimeve të cilat po bëhen, nuk do të ishte e nevojshme që të bëhet kaq shpesh këto ndryshime”, ka thënë Vranica, përfaqësues i gastronomeve.
Me ndryshimin e fundit të masave ani-Covid, klientët dhe stafi i gastronomisë obligohen të posedojnë katronin e vaksinimit ose testin negativ për t’iu lejuar hyrja në hapësirat e mbyllura të lokaleve. Për mosrespektimin e masave kundër shpërndarjes së koronavirusit, AUV gjatë muajit shtator ka shqiptuar rreth 500 gjoba për bizneset, shumica prej tyre lokale të gastronomisë.