Arbëri

Vuçiqi falënderon serbët që po i mbajnë të bllokuara rrugët: Serbia është me ju

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një videoje që ka shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram, ka thënë se “serbët i kanë duart e lidhura dhe se duhet të luftojnë”.

E teksa BE-ja, NATO e SHBA-ja po kërkojnë zhbllokimin e rrugëve në veri të vendit që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe uljen e tensioneve, Vuçiqi ka falënderuar serbët që po i mbajnë të bllokuara ato.

“Faleminderit njerëzve për përkrahjen në këto ditë të vështira, faleminderit popullit tonë në Jarinjë e Bërnjak, Serbia është me ju”, ka thënë Vuçiqi.

Serbët kanë bllokuar rrugët pas vendosjes së masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë, gjë që vetë Serbia e bën për më se 10 vjet.