Arbëri

Kryeministria: Haradinaj deshi të takohej me Kurtin në 9:00, qëndroi tre minuta në holl dhe u largua

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, se ishte thirrë për takim me kryeministri Kurti lidhur me gjendjen në veri, të dielën në ora 9:00, por që nuk e kishte gjetur atë në zyrë.

Zyra e kryeministrisë ka bërë të ditur se kryeministri Kurti, mbrëmjen e së shtunës i ka ftuar tre liderët e subjekteve politike opozitare në Kuvend, për takim të përbashkët, të dielën në ora 10:00.

Në reagim thuhet se me kërkesë të Haradinajt, takimi me të ishte caktuar të mbahej në ora 9:00, mirëpo ai ka qëndruar në hollin e pritjes tre minuta dhe është larguar.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, mbrëmë i ka ftuar të tre liderët e subjekteve opozitare në Kuvend për takim të përbashkët me ta, për të dielën në ora 10:00. Ftesës për takim në ora 10:00, i janë përgjigjur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës z. Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku. Me kërkesë të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kryeministri Kurti ka pranuar ta takojë atë, sipas propozimit të z.Haradinaj, ndaras, sot në ora 9:00. Z. Haradinaj është pritur nga protokolli i kabinetit në ora 8:56. Takimi nuk është realizuar, për shkak se z.Haradinaj është larguar nga Zyra e Kryeministrit, pas qëndrimit në hollin e pritjes nga ora 8:56 deri në ora 8:59”, thuhet në sqarimin e zyrës së Kryeministrisë.