Arbëri

KASH-i i bën thirrje Serbisë të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i ka bërë thirrje Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. KASH ka thënë se qasja e tillë nuk është në interes të askujt, e aq më pak të qytetarëve të etnisë serbe në Republikën e Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve ka thënë se mbështet fuqishëm vendimin e Kosovës për të vendosur reciprocitet në targa të automjeteve me Serbinë.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Ne mbështesim fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë. KASH shpreh keqardhjen që marrëveshjet e dakordësuara në Bruksel nuk gjejnë vullnetin për zbatim, duke prapësuar arritjet e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon duke iu rikthyer sjelljeve dhe veprimeve që nxisin dhunën dhe urrejtjen. Ne i bëjmë thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. Një qasje e tillë e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës. Retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeteve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situatës”, thuhet nga KASH-i.

KASH po ashtu i ka bërë thirrje BE-së, NATO-s e SHBA-së që të reagojnë me shpejtësi dhe ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë. Ndërsa ka përsëritur se dialogu dhe integrimet në strukturat evropiane dhe euro-atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon.