Arbëri

Peci rendit pikat e “koordinimit serbo-rus për destabilizim të Ballkanit”

Drejtori i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, në një përmbledhje prej tri rastesh ka nxjerrë ato që i ka quajtur koordinim serbo-rus për destabilizimin e Ballkanit.

Para situatës së fundit të shkaktuar në veri të Kosovës, Peci ka përmendur çështjen e refuzimit që përfaqësuesi serb në Bosnje dhe shteti rus kanë pasur kundër Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë, diplomatit gjerman Christian Schmidt.

Pikë të dytë ka përmendur destabilizimin e Malit të Zi, javë më parë. Në Mal të Zi pati protesta të shumta kundër shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në këtë shtet. Sipas Pecit, koordinimi serbo-rus e çoi këtë vend buzë përplasjes civile.

Ndërsa për pikën e tretë, atë aktualen, Peci ka thënë se Serbia e Rusia po destabilizojnë veriun në Kosovë, me provokime e përplasje në mes të protestuesve e Policisë “dhe duke djegur godina zyrtare e hedhur bomba në anën tjetër”.

Për të gjitha këto, ka thënë se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare është përkëdhelës ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ai ka theksuar se “tolerimi i politikës së Botës Serbe, e cila më së paku ka karakter kulturor, po i ngjet sjelljes së Perëndimit në fillim të vitit 1990 me Millosheviqin, e nëse vazhdohet kështu, kësaj politike do i del tymi së shpejti”.

“E kur del tymi, edhe zjarri nuk është larg”, ka përfunduar ai.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.