Arbëri

Mundësi për variante të reja, kërkohet vaksinimi i 12-vjeçarëve në prag të fillimit të mësimit

Descriptive Text

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, thotë se institucionet shëndetësore janë të gatshëm të përballem me çfarëdo lloj varianti të virusit COVID-19.

Ai tha se janë në dispozicion 20 shtretër në mjekimin intensiv duke shtuar se kanë kapacitete prej 98 të tjerë, teksa thirrje bëri për vaksinim.

“Pa dallim gjinie duhet të vaksinohen të gjithë sepse vaksina duket që është arma më e fortë për të parandaluar virusin e cila sëmundje po shkakton probleme të mëdha me numër të madh të vdekjeve të moshave të reja dhe te moshat e shtyra. Klinika Infektive i ka ata shtretër që ka pasur prej fillimit. 20 shtretër janë shndërruar në mjekimin intensiv. Dhe kemi një kapacitet prej 98 shtretër për trajtimin e pacientëve”.

“Barna kemi mjaftueshëm. Ajo çka është e rëndësishme është oksigjeni dhe kemi pasur tërë kohën. Ne jemi të gatshëm për çdo lloj varianti. Tani jemi në fazën kur kemi përgjysmim të të hospitalizuarve dhe jemi duke e përcjell me dinamikë situatën”, tha Vishaj, raporton EO.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë Blerim Syla, ka bërë apel që t’i jepet prioritet vaksinimit grave shtatzëna.

“Iu bëjë apel të vaksinohen të gjitha. Dhe po ashtu i bëjë apel komitetit për vaksinim që t’iu jepet prioritet grave shtatzëna. Ato duhet me qenë prioritet sepse kemi të bëjmë me dy jetë. Pasojat anti-Covid ende nuk dihen po do të kenë ato që nuk marrin vaksinat”, tha Syla.

Ai kërkoi që para fillimit të vitit shkollor të bëhet edhe vaksinimi i fëmijëve të moshës 12 vjeç. Përveç variantit Mu, Syla tha se do të ketë edhe variante të tjera.

"Do të fillojë shkolla dhe mirë është për të filluar vaksinimi i fëmijëve për moshën 12 vjeç, të hapen më shumë qendra vaksinimi. Nuk është i fundit ky variant do të ketë edhe të tjerë. Andaj duhet të përgatitemi edhe për këtë variant”./ EkonomiaOnline