Arbëri

IKSHPK-ja pritet ta japë sot rekomandimin lidhur me hapjen e shkollave

Ministri i Shëndetësisë do të takohet me përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës sot për të diskutuar për masat e reja anti-COVID.

Në takim pritet që të jepet rekomandimi nga IKSHPK-ja për hapjen shkollave. Siç ka thënë ministri Arben Vitia për KOHËN të mërkurën, “me gjasë procesi arsimor do të fillojë nga data 27 shtator”.

Në një konferencë për media Vitia bëri të ditur se nga 27 shtatori do të aplikohen masa kufizuese, që në lokale të hyhet me certifikatë të vaksinimit, test PCR apo serologjik.

Takimi i tyre do të mbahet nga ora 14:00. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Do të takohemi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia në ora 14:00. Do të kërkojmë lehtësim të masave antiCOVID-19 për gastronomët. Po ashtu do të kërkojmë që të filloj procesi mësimor. Janë katër skenarë të cilët i kemi propozuar e të cilët mund të përdoren për mbarëvajtje të mësimit”, tha Ibrahimi.