Arbëri

Serbët nuk heqin dorë nga protesta, rruga mbetet e bllokuar

Furnizimeve me ushqim i janë shtuar edhe drunjtë për ndezjen e zjarrit në ditën e tretë të protestës së serbëve kundër reciprocitetit me targa.

Rreth tri kilometra është i gjatë vargu i mjeteve të transportit me të cilat është bllokuar rruga që shpie drejt pikës kufitare në Jarinjë.

Skaj rrugës janë vendosur protestuesit të ndarë në disa grupe.

Ftohja e motit kishte bërë që ngrohjen ta bëjnë pranë zjarrit e me alkool. Të shumta i kanë edhe furnizimet me ushqime.

Në disa qoshe kanë ngritur edhe tenda, në të cilat futen kur fillon të bjerë shi.

Protestuesit refuzojnë të deklarohen për mediat shqiptare, por prapa kamerës tregojnë synimet që kanë.

"Po protestojmë kundër lojës së Qeverisë në Prishtinë. Nuk e di sa do të qëndrojmë, ta shohim sa ka nevojë", tha njëri prej protestuesve.

E një tjetër shprehet se kjo situatë nuk i konvenon askujt.

"Çfarë të bëjmë. Vetëm mos të ketë probleme. Kjo është me rëndësi. Kjo situatë nuk është mirë për askënd", thotë një protestues tjetër nga Komuna e Leposaviqit.

Baneri me logon ku urohet mirëseardhje në Asociacionin e vetëshpallur nga veriorët ndan protestuesit nga pika ku janë të vendosur pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës.

Është ora 12 e 30 dhe pjesëtarët e njësisë elite bëhen gati për ta bërë ndërresën. Rreshtohen për një në pritje të urdhrit nga komandanti për t’u nisur rrugës e mes protestuesve. E komandanti koordinohet me homologun që është nisur me pjesëtarët e tij në pikën e vëzhgimit. Kur bashkohen dy njësitë përshëndeten mes vete.

"A jeni lodh si kaluat...Rruga mbarë", është diskutimi i vetëm mes policëve. Ata janë të pajisur me pushkë të gjata e snajperë.

Pjesë e marshit janë edhe zjarrfikësit e Kosovës, të cilët qëndrojnë gjatë tërë kohës pranë pikës së kufirit. Po ashtu edhe ambulanca.

Në orët e pasdites policët i vizitoi zëvendëskomandanti i rajonit në veri, Besim Hoti. Pasi zhvillon një bisedë të shkurtër me policët ai largohet. Pranë protestuesve e policëve kanë qëndruar edhe policë të EULEX-it.

Me dylbi policia kohë pas kohe vëzhgonte përreth malit. Për një moment pati dyshime se dikush po lëvizte në pjesën lart. Policët mobilizohen dhe fillojnë komunikimin mes tyre.

Në pjesën e sipërme të malit, kah territori i Serbisë, shfaqen dy persona që po ashtu vëzhgojnë poshtë me dylbi. Pas disa minutash ata largohen. Ndërkohë në orët e pasdites serbët kanë tentuar të fusin përforcime me makina shtesë të rënda drejt Jarinjës. Disa prej tyre kanë qenë të mbushura edhe me zhavorr. Por policia nuk i la lejuar të vazhdonin rrugën.

Të shumta kanë qenë lëvizjet e qytetarëve serbë joprotestues, të cilët duhej ta bënin në këmbë rrugën deri në kufi, drejt Kosovës e Serbisë.

Një qytetar serb nga Zveçani, që nuk deshi të identifikohej e as të fliste para kamerës, tha se protesta është e drejtë, që duhet ushtruar, porse ai ka angazhime për të cilat duhet të shkojë në Serbi. Me vete i kishte edhe fëmijët.

Kjo është dita e tretë e protestës së serbëve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit në targa.