Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka refuzuar të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi ku po raporton ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Këtë vendim, ai ka thënë se e ka marrë pasi e konsideron ministrin Vitia “fajtor kryesor institucional për shpërthimin katastrofal të pandemisë COVID-19, varianti Delta, nga i cili për një muaj e gjysmë vdiqën 644 qytetarë të Kosovës”.
Në një njoftim në Facebook, Haxhiu ka thënë se Vitia s’është person kredibil për të diskutuar për situatën me pandeminë “andaj, sot nuk do marr pjesë në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ku ai është ftuar të raportojë”.
“Z.Vitia duke qenë ministër i Shëndetësisë së Kosovës 6 muaj nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi duke injoruar kështu jo vetëm Komisionin Parlamentar por edhe përballjen me situatën pandemike. Ai i ka injoruar edhe kërkesat e profesionistëve shëndetësorë dhe të pacientëve të cilët vuanin në mungesë të kujdesit të duhur dhe mungesës së barnave. Duke qenë se shumë pacientë që kishin nevojë për mbështetjen e MSH nuk janë më në këtë botë unë konsideroj se Arben Vitia nuk mund të jetë person kredibil për të diskutuar lidhur me situatën me pandeminë dhe shëndetësinë”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se numri i vdekjeve “rezulton të jetë edhe më i lartë, pasi sipas informacioneve të publikuara në media, ka pas manipulime në raportimin e shifrave , për të minimizuar pasojat e keqmenaxhimit të situatës me pandeminë Covid-19”.
Ai ka akuzuar Vitinë për shtesat prej 60 euro për stafin shëndetësor, për mungesë të furnizimit me barna, për planin e vaksinimit, për skadimin e afatit të 133 mijë dozave, e për neglizhencë në menaxhim të pandemisë.
“Për shkak të neglizhencës dhe veprimeve të gabuar të Arben Vitisë në menaxhim të pandemisë nga 98 raste aktive në Kosovë që ishin me 17.07.2021, situata ka eskaluar në 27 404 raste aktive me 01.09.2021. Pasojat e këtij keqmenaxhimi i kanë vuajtur qytetarët e Kosovës. Duke parë tërë këtë dështim të Arben Vitisë në menaxhim të pandemisë dhe udhëheqje të MSH konsideroj se ai më nuk është person kredibili për të diskutuar për këto tema andaj nuk do marr pjesë në mbledhje të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi”, ka përfunduar ai.