Arbëri

Basha: Kosova ka të drejtën për reciprocitet si shtet, Serbia duhet ta kuptojë këtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka reaguar pasi Kosova ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targa të automjeteve.

Ai në një postim në Twitter ka thënë se gjuha kërcënuese e Beogradit i përket së kaluarës dhe si e tillë ajo nuk mund të kthehet.

“Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, ka shkruar Basha. “Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cenon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiq dhe fshehjen pas falsitetit të iniciativës së Novi Sadit”.

Pasi Qeveria e Kosovës vendosi masat e reciprociteti për targa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mblodhi sot Këshillin e Sigurimit, ku ka kërkuar tërheqjen e gjitha trupave nga veriu i Kosovës.

Ai gjithashtu tha se Këshilli, në përputhje me punën e tij, mori parasysh kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Serbisë, situatën në Ushtrinë Serbe, Ministrinë e Brendshme. Sipas tij, masat shtesë do të merren parasysh në ditët në vijim, dhe se më pas do të diskutohet për to.

Me masën e re qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të ndërrojnë targat, të vendosin targa të përkohshme të Kosovës.