I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se i ka informuar ambasadorët për situatën e krijuar në veri të Kosovës, derisa ka bërë thirrje për ulje të tensioneve.
Përmes Twitterit, Lajçak ka thënë se është e rëndësishme rivendosja e paqes dhe lejimi i lëvizjes.
“Ne jemi të gatshëm për t’i lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga reciprociteti për targa të përkohshme për veturat që vijnë nga Serbia. Sipas tij, ose të dyja shtetet kanë të drejtë, ose të dyja e kanë gabim.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë ai në një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it të martën, një ditë pasi Qeveria vendosi të zbatojë reciprocitetin për targat e veturave nga Serbia.