Ish-negociatori i Serbisë për dialogun, Borko Stefanoviq, ka konfirmuar se marrëveshja për targat e veturave ka skaduar.
Ai përmes një postimi në Twitter ka akuzuar pushtetin serb, duke e quajtur regjim i Vuçiqit.
“Marrëveshja është arritur më 2011 që qytetarët me targa të Kosovës duhet të vënë targa të përkohshme në momentin kur futen në Serbi. Më 2016, Vuçiqi dhe Daçiqi pranuan se kjo vlen edhe pesë vjet. Kjo tash ka skaduar. Po gënjen regjimi juaj. Shpjegojani serbëve në Kosovë se si i ‘mbroni’”, ka shkruar Stefanoviq.
Sot, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që asnjë veturë me targa të Serbisë të mos lejohet të qarkullojë në Kosovë. Me rastin e futjes në Kosovë, pronarët e veturave duhet të vendosin targa të përkohshme të Kosovës, njëjtë siç obligohen të veprojnë qytetarët që kanë targa të Kosovës kur futen në territorin e Serbisë.
Stefanoviq, sot është pjesë e opozitës në Serbi.
Aleksandar Vuçiq është president i Serbisë, e Ivica Daçiq kryetar i Kuvendit të Serbisë.