4 perditesime
11:08

Kurti: Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë, “nuk ka qenë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, duke iu referuar Serbisë.

Kurti ka thënë se derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, targat RKS do të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“15 shtatori i ketij viti, ka qenë data e fundit e që veturat me targa KS do të hyjnë nga Serbia në Kosovë. 5 ditë nga kjo datë, MPB-ja sot ndërmori aksionin për konfiskimin e këtyre tabelave. Pavarësisht çfarë nacionaliteti janë ato tabela, do të konfiskohen dhe do të pajisen me tabela të përkohshme. Si kryeministër iu siguroj se veprimet në veri për, nuk janë drejtuar ndaj qytetarëve serb e as nuk ka të bëjë me ndonjë destabilizim. Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk i kufizon lëvizjen e lirë qytetarëve serbë. Pres nga të gjithë qytetarët ta kuptojnë drejt, sot po fillon një zbatim i marrëveshje që është pajtuar Serbia me Bashkimin Evropian. I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, deklaroi Kurti.


Kurti-opozitës: Nuk ndahet populli qysh mendoni ju

Kryeministri Albin Kurti i ka reaguar ashpër deklaratave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili në Kuvend përmendi çështjen e arkivave të UÇK-së.

Kurti i është drejtuar deputetëve të PDK-së duke i thënë se “ju mund të përçani, por nuk ndahet populli qysh mendoni ju”.

“Deklarata e UÇK-së është lënë jashtë Kushtetutës dhe deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ju mund të keni dëshirë që të kem komplekse nga kjo punë, por nuk kam. Dëshirat e juaja mos i bëni fakte. Përçani, por nuk ndahet populli qysh mendoni ju. Prandaj edhe ka votuar qysh ka votuar më 14 shkurt. Nuk mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. A kam qenë UÇK? Pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën. Adem Demaçi, a ka qenë UÇK? Unë kam qenë sekretar i tij. Pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma paraqitni si fakt mua”, u shpreh Kurti.


Kuvendi miraton në parim projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit

Deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit. Pozitë dhe opozitë me 71 vota për i dhanë mbështetje këtij projektligji, megjithëse opozita adresoi disa kritika.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke prezantuar projektligjin tha se qëllimi është qartësimi i fushëveprimit të agjencisë.

“Qëllimi i këtij projektligji është qartësimi i fushëveprimit të agjencisë aktuale kundër korrupsionit si organ i pavarur dhe specializuar për parandalimin e korrupsionit dhe po ashtu me të njëjtin qartësohet autoriteti i agjencionit për shqiptimin e masave kundër seksioneve në përputhje me këtë ligj. Përveç mandatit parandalues të këtij projektligji rregullohen procedurat lidhur me zbatimin për parandalimin e konfliktit të interesit”, tha ajo.


Kuvendi miraton Projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 77 vota pro kanë miratuar Projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj.

I njëjti u konsiderua i rëndësishëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se rregullon statusin juridik të shtetasve të huaj.

Megjithëse u kritikua nga opozita qëndrimi i mëhershëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për MSA-në nga rrjedh ky Projektligj, të njëjtit e përkrahën atë.


Kuvendi miraton Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e bordit të ri të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së, I cili do të drejtohet nga deputeti i VV-së, Armend Muja,

Në këtë Komision, VV-ja do t’i ketë pesë përfaqësues për këtë Komision, Armend Muja, nënkryetar, anëtare Doarsa Kica, Saranda Bogujevci, Ardian Gola dhe Fitim Uka.

Po ashtu dy anëtarë të Komisioni do të jenë nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe Blerta Deliu,

Ndërsa, LDK do ta udhëheq këtë Komision, më në krye Armend Zemaj. Nga AAK do të jetë Albana Bytyqi.

Më ketë votim, kuvendi ka mbyllur punimet e seancës sotme ku pati përplasje të shumta në mes të deputetëve nga pozita dhe opozita.

10:53

Haradinaj i drejtohet Kurtit: A është Nexhat Krasniqi ende kryekriminel?

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se a është bërë “baba i tenderëve Nexhat Krasniqi i mirë gjatë qeverisjes së tyre”, apo ende vazhdon të mbetet “kryekrimineli”, që siç thotë Haradinaj, kështu e kanë etiketuar Vetëvendosja gjatë qeverisjes së tij.

Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit u shpreh se pavarësisht se e ka bërë këtë pytje edhe te tre ministra, ende nuk ka marrë përgjigje.

“Duhet të kujdesemi për veten se Qeveria nuk ka qenë këtu me u kujdes në mënyrën e duhur. Kryeministër, kam pyet tre ministra të juaj, të Drejtësisë, Transportit dhe të Rendit, për babën e tenderëve, që emrin e ka Nexhat Krasniqi. I pyes në çdo seancë dhe nuk kam përgjigje. Po ju pyes kryeministër, a është Nexhati ende kryekriminel?”, ka thënë Haradinaj.


Zemaj-Kurtit: Kryeministër shkarkoje ministrin Vitia dhe kërko falje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ish-ministri i Shëndetësisë në seancën e parë të Kuvendit në sesionin vjeshtor, tha se ministri Vitia ia ka ikur përgjegjësisë dhe është treguar skandaloz në menaxhimin e pandemisë COVID 19.

“Njerëzit e papërgjegjshëm nuk mund ta pranojnë përgjegjësinë, ky ministër i shëndetësisë u tregua shumë i papërgjegjshëm, nuk e pranoi përgjegjësinë, por e pranoi gabimin. E gabimi kushton, këtë gabim do të duhej ta merrte për bazë edhe vetë kryeministri me shkarkimin e këtij ministri të shëndetësisë që u tregua skandaloz në rajon dhe mbarë Evropën. E bëri Kosovën vendin më të tmerrshëm në ranglistat botërore në listat e zeza duke shndërruar Kosovën me 40 minutësh të vdekjeve dhe pa asnjë fije dyshimi u zhduk në javën kryesore dhe të rëndë ku kishim 36 vdekje të qytetarëve.... i nderuar kryeministër ky ministër është treguar i papërgjegjshëm dhe duhet ta shkarkoni dhe të kërkoni falje publike neve dhe gjithë familjarëve që kanë humbur jetën nga masat dhe mos mbikëqyrja e masave”, tha ai.

10:39

Krasniqi: Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, drejtoi kritika të mëdha ndaj Qeverisë Kurti në sesionin e parë vjeshtor të Kuvendit. Krasniqi fajësoi Qeverinë për keq-menaxhim dhe keq-administrim të pandemisë.

I pari i PDK-së deklaroi se Kurti refuzoi bashkëpunimin me partitë opozitare.

“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.

10:25

Nis seanca e parë e sesionit vjeshtor

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e parë të sesionit vjeshtor.

07:57

Sot mbahet seanca e Kuvendit, gjashtë pika në rend dite

Sot mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për sezonin vjeshtor.

Seanca pritet të fillojë në ora 10:00, ku në rend të ditës janë gjashtë pika.

Fillimisht do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës, e më pas pyetje parlamentare si dhe miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.

Ndërsa pikë e katërt e rendit të ditës është shqyrtimi i shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Në pikën e pestë është shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-017 për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit

Pika e fundit e rendit të ditës në këtë seancë të parë vjeshtore do të jetë formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së./KSP/