Arbëri

MSH-ja apelon për vaksinim: Ka mjaft terminë të lirë

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë ka apeluar te qytetarët që të vaksinohen edhe në ditët e fundjavës duke theksuar se ka mjaftueshëm terminë të lirë.

“Ministria e Shëndetësisë u rikujton qytetarëve të Republikës së Kosovës se vaksinimi kundër COVID-19 do të vazhdojë të bëhet edhe gjatë ditëve të fundjavës, të shtunën dhe të dielën, në të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë. Prandaj, MSh u bën thirrje qytetarëve që të caktojnë terminë për marrje të vaksinës, me që ka mjaft terminë të lira, përfshirë edhe ditët e fundjavës në të gjitha qendrat e vaksinimit në komunat e Kosovës”, thuhet në apelin e MSH-së.

Sipas vendimeve të mëhershme, në Kosovë mund të vaksinohen personat e moshës mbi 16 vjeç si dhe fëmijët e moshës 12-15 vjeçe me indikacione mjekësore, këta të fundit me vaksinën Pfizer.

“Duke u bërë thirrje që krahas vaksinimit të zbatohen masat në fuqi kundër COVID-19, MSh rithekson rëndësinë e vaksinimit si mënyrën më efikase për të parandaluar përhapjen e mëtejme të COVID-19 dhe për të evituar shtrimet e qytetarëve të tjerë në spitale nga format e rënda të COVID-19 dhe për të ulur numrin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19”, ka përfunduar apelin MSH-ja.

Aktualisht deri tash në Kosovë janë administruar mbi një milion e 140 mijë doza të vaksinave anti-COVID. Mbi 422 mijë qytetarë i kanë marrë nga dy doza.

Termini për vaksinim mund të caktohet përmes platformës online “eKosova”.