Arbëri

Rizvanolli: Vendime mbi gazsjellësin nuk do të merren pa u ditur kostoja

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e energjisë. Në një konferencë ajo ka thënë se rajoni, ashtu edhe Kosova ka synim dekarbonizimin e sektorit, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe ripërtërimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Është tejet me rëndësi që të kemi sistem sa më të integruar të energjisë, që të na ofrojë fleksibilitete të integrojmë sa më shumë burime të ripërtëritshme të energjisë dhe kjo ndikon në rritjen e fleksibilitetit të sistemit tonë, sigurinë e furnizimit dhe çmime më të lira për konsumatorët”, ka thënë ajo.

Rizvanolli shtoi se sektori i energjisë është i paparashikueshëm dhe për vendime lidhur me të duhet të merren informacione të sakta fillimisht para se të veprohet.

“Qëllimi ynë është që vendimet që i marrin në energji të jenë mirë të informuara. Në këtë sektor ka paparashikueshmëri. Për Kosovën sfidat janë edhe më të mëdha duke pasë parasysh kapacitete e vjetruara. Vendime të tilla në energji nuk janë marrë në 40 vitet e fundit dhe nuk do merren edhe në 30 vitet e ardhshme kështu që e rëndësishme është të kemi informacione të sakta”.

Ajo foli edhe për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, për të cilin tha se po shqyrtohet. Tha se një korporatë amerikane ka ndarë grant 200 milionë dollarësh për ndërtimin e infrastrukturës.

“Ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsion që po shqyrtohet. Kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët, sidomos me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MSS) i SHBA-së. MSS ka alokuar një grant rreth 200 milionë dollarë që do shfrytëzohej për ndërtimin pjesërisht të kësaj infrastrukture. MSS ose ndonjë organizatë tjetër nuk do të financonte tërë projektin, kemi të bëjmë me investim më të madh se kaq gjatë 5 muajve të fundit, kemi pasur bashkëpunim intensiv me MSS”, ka thënë ajo.

Rizvanolli sqaroi se gazi nuk ka të bëjë me një shtet të caktuar dhe se Kosova po diskuton fillimisht vetëm ndërtimin e infrastrukturës, teksa tregoi opsionet për gazsjellësin.

“Është përmendur ‘gazi amerikan’. Kur flasim për ndërtimin e infrastrukturës, nuk flasim për gaz amerikan ose të ndonjë shteti, po flasim për ndërtim të infrastrukturës. Në këtë rast opsioni më i studiuar është opsioni i ndërtimit të infrastrukturës së gazsjellësit që do të ketë qasje në Kosovë përmes Maqedonisë së Veriut me tregun e gazit natyror në Greqi. Pastaj Nëse do të ndërtohej një termocentral me gaz, operatori që e operon atë termocentral do ta blinte në treg të lirë gazin”, tha ajo.

Ministrja ka thënë se nuk do të vendoset diçka pa ditur koston që do ta ketë një projekt i tillë.

“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dimë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, sa kredi do duhet të marrim ne si shtet, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Po ashtu, do të duhej të merrnim kredi, jo e tëra është grant. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, tha Ministrja Rizvanolli.