Në prag të zgjedhjeve lokale, Instituti GAP ka publikuar raportin për nivelin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore nga kryetarët e komunave, për periudhën 2017-2021.
Bekim Salihu, nga ky institut ka treguar në detaje për premtimet që janë përmbushur, ato që janë në gjysmë dhe ato që nuk kanë nisur fare.
"Nga 913 premtime, 467 janë përmbushur, 160 janë gjysmë të përfunduara, 159 vetëm janë nisur, për 122 nuk ka asnjë nismë. 51% të premtimeve janë të përmbushura, gjysëm të filluara 18%, po ashtu 18% premtime të nisura, e 13% të panisura fare. Numër më i madh i premtimeve janë në kuadër të infrastrukturës dhe arsimit. Shikuar sipas përqindjes, fushat sociale, fusha e shëndetësisë dhe administratës ka më së shumti premtime. 95% e premtimeve të papërmbushura, kanë qenë kompetencë e komunave për t'i përmbushur”, tha Salihu.
Megjithatë, edhe kjo paraqet progres, pasi sipas Salihut në mandatin 2013-2017 ishte edhe më keq.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.