Arbëri

EUROPOL-i ia mundëson Kosovës caktimin e Zyrtarit Ndërlidhës në këtë organizatë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Kosova ka nënshkruar marrëveshjen me EUROPOL-in, përmes së cilës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës formal në këtë organizatë dhe krijohet linjë e sigurt e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit me të.

Sipas Sveçlës, marrëveshjet e tilla janë dëshmi e avancimit të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar është tejet i rëndësishëm në përpjekjet tona për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Sot, finalizuam nënshkrimin e marrëveshjeve me EUROPOL, me Drejtoreshën Ekzekutive Znj. Catherine De Bolle, përmes së cilave Kosovës i mundësohet caktimi i Zyrtarit Ndërlidhës formal në EUROPOL dhe krijohet linjë e sigurtë e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit me EUROPOL-in. Këto marrëveshje, do të mundësojnë bashkëpunim dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë e të sigurtë të informacioneve, ndërmjet Republikës së Kosovës, EUROPOL-it dhe Shteteve Anëtare të Unionit Evropian. Marrëveshjet e nënshkruara janë dëshmi e avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it, ndërsa angazhimi ynë i përbashkët në shtimin e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale për bashkëpunim policor ndërkombëtar, do të vazhdoj me dinamikë të lartë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.