Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës është furnizuar sot me ilaçin Remdesivir, me të cilin trajtohen pacientët me COVID-19 në gjendje të rëndë.
Sipas njoftimit, kjo është hera e parë që ShSKUK-ja furnizohet me Remdesivir që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në Kosovë.
“Nga sot pacientët nuk do të kenë nevojë të blejnë më këtë ilaç. MSH-ja ka liferuar 7,920 njësi Remdesivir që do të shpërndahen nga sot në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Para dy javësh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se spitalet do të furnizohen me këtë ilaç “për çështje ditësh”.
“Për Remdesivir dje kemi pasur takim të gjatë me UNOPS-in, duke i shfrytëzuar edhe mjetet nga krediti që kanë ardhur, sepse janë procedurat më të shpejta të mundshme për të siguruar sa më shpejt terapinë që ka derivuar nga udhërrëfyesi ku hynë remdesiviri. Nuk kam ditë të saktë, por në takim që më kanë thënë edhe UNOPS-i edhe administrata në MSH, kjo është çështje ditës”, ka thënë ministri Vitia më 31 gusht.
Ndërkohë, KOHA mëson se ilaçi Tociluzumab që kushton shumë më shtrenjtë – rreth 1600 euro, nuk do të jetë në dispozicion të pacientëve nëpër spitale deri në shkurt të vitit 2022.