1 perditesime
Arbëri

Osmani paralajmëron aplikimet në organizata ndërkombëtare: Vetëm pas koordinimit me partnerët

Osmani paralajmëron aplikimet në organizata ndërkombëtare: Vetëm pas koordinimit me partnerët
13:05

Osmani paralajmëron aplikimet në organizata ndërkombëtare: Vetëm pas koordinimit me partnerët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar aplikime të Kosovës në organizata ndërkombëtare e rajonale, pas skadimit të moratoriumit njëvjeçar të nënshkruar në Washington vitin e shkuar.

Megjithatë, ajo ka thënë se Kosova s’do të aplikojë pa pasur sigurinë e përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë.

“Moratoriumi ka përfunduar dhe po bashkëpunojmë me partnerët tanë amerikanë për agjendën tonë për njohje dhe pranime në organizata ndërkombëtare. S’mendoj se mund të kemi sukses në organizata ndërkombëtare pa koordinim të ngushtë me partnerët. Kur bëhet fjalë për organizatat rajonale e ato në Evropë, mendojmë se Gjermania mund të marrë lidership. Për të tjera duhet të koordinimeohmi me partnerët tanë, të kemi plan me SHBA-në dhe partnerët evropianë për të aplikuar. S’duam të shkojmë vetë. Nuk duam të dështojmë. Do të aplikojmë kur të jemi gati pas planit tonë, me partnerët tanë evropianë e amerikanë”, ka thënë ajo.

Duke folur për Marrëveshjen e Washingtonit, Osmani ka thënë se shumica e pikave janë apo kanë qenë të përmbushura, ndërsa te dy prej tyre ka thënë se ka pasur pikëpyetje.

“E para është moratoriumi për njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare, dhe e dyta e ndarjes së resurseve të Ujmanit. S’ka pasur pikëpyetje për fizibilitetin, por për çka nënkupton ndarja e resursit me Serbinë”, ka deklaruar ajo.

Osmani po ashtu ka thënë se nuk mund të ketë shtet tjetër që ka qenë më shumë i përkushtuar për drejtësi se Kosova, kur është pyetur për Gjykatën Speciale dhe ngritjen e aktakuzave ndaj ish-liderëve shtetërorë.

Duke thënë se liderët kanë bashkëpunuar vullnetarisht me Specialen, Osmani ka thënë se “Kosova s’është si Serbia” që s’ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë.

“Ne bashkëpunojmë me Specialen dhe fakti që secili lider ka bashkëpunuar vullnetarisht tregon se s’kemi asgjë për të fshehur dhe duhet të theksojmë se ajo është formuar me shumicë në parlament, që përfaqëson shumicën në popullin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani duke shtuar se në këtë proces s’ka pasur “ndërhyrje politike” e as “sulme” nga Kosova.

12:41

Osmani e quan të rrezikshëm “Ballkanin e Hapur”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Në një bashkëbisedim në Rrjetin për Politikë të Jashtme në Gjermani, Osmani ka thënë se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit.

Në fjalimin e saj, Osmani ka kritikuar Serbinë duke e quajtur shtetin e vetëm që destabilizon rajonin e që s’u përmbahet atyre që i nënshkruan.

“Kemi vlerësuar vazhdimisht Procesin e Berlinit. Mendojmë se ky proces ka afruar shtetet e rajonit, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që disa shtete s’i kanë implementuar. Bëhet fjalë për Serbinë. Më 2018, për shembull marrëveshja për njerëzit e zhdukur. Serbia s’mori asnjë veprim për të shfaqur lokacionet e varrezave masive, ku nuk hapi arkivat për njerëzit e zhdukur... Serbia mbetet jo vetëm shteti që destabilizon rajonin, por edhe shteti që nuk i përmbahet atyre që i nënshkruan. Një diplomat dikur pati thënë se me Serbinë ke dy lloj negociatash, që ta bindësh të nënshkruajë dhe më pas ta implementojë. E dyta është më e rëndë se e para. Besojmë që Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme”, ka thënë ajo për iniciativën që është përkrahur vetëm nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut e që po refuzohet nga Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. “Ballkani i Hapur jo vetëm i rrezikshëm, por edhe bën shtyrjen e procesit të integrimit evropian”.

Ajo ka kritikuar këtë iniciativë duke thënë se me të Kosova nuk konsiderohet shtet i barabartë me të tjerët.

Sa i përket dialogut, Osmani është shprehur se Kosova s’do të diskutojë kurrë për territore, për ndryshime kushtetuese që të mundësojë Republikë Serbe apo për statusin e vet.

“Vetëm një zgjidhje mund të sjellë paqe e stabilitet në rajon – Serbia ta njohë realitetin dhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Deri sa të mos ndodhë ajo Serbia do të jetë destabilizuesja e rajonit dhe trampolina që sjell influencën ruse e kineze në rajon. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i zëshëm ndaj Vuçiqit”, ka thënë ajo duke shtuar se Serbia po luan “me dy karta” sikur dëshiron integrimin evropian e më pas vazhdon bashkëpunimet me Rusinë e Kinën.

“Kosova është konstruktivja në proces. Ka përpjekje që të portretizohet Kosova si destruktive, por kjo s’është aspak e vërtetë. Kosova ka pranuar të jetë pjesë e dialogut e të kontribuojë edhe pse Serbia s’ka pranuar kurrë të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë. Ne kemi bërë propozime të mrekullueshme në çdo rund bisedimesh. Serbia s’ka bërë asnjë porpozim dhe ka refuzuar gjithçka”, ka shtuar Osmani.