7 perditesime
17:02

Përfundon seanca ndaj Salih Mustafës, seanca e caktuar për të enjten është anuluar

Seanca e para e gjykimit ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka përfunduar.

Gjatë seancës janë paraqitur dëshmi nga Zyra e Prokurorit Speciale lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj Mustafës.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Prokurori Jack Smith, ka thënë se përpara kësaj gjykate do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë, serbë, romë.

Sipas tij në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat ishin bashkatdhetarët e tij, shqiptarë të Kosovës.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se seanca e caktuar për të enjten është anuluar.

 

13:29

Mbrojtja e viktimave: “Shqetësuese heshtja që i rrethon krimet e UÇK-së”

Mbrojtja e viktimave ka thënë se zhgënjimi i viktimave është shumë i madh.

Ajo ka thënë se “është shqetësuese heshtja që rrethon krimet e kryera nga UÇK-ja”. Ajo ka thënë se viktimat janë detyruar të heshtin.

Sipas saj, ushtarët e UÇK-së në Kosovë shihen si heronj.

Ajo ka thënë se viktimat e regjimit serb e kanë treguar historinë e tyre dhe kanë marrë simpatinë e njerëzve, por viktimat e UÇK-së janë heshtur.

“Viktimave të UÇK-së ju mohohet ndihma. Lufta e lavdishme e UÇK është vetëm një pjesë e historisë. Asgjë nuk mund të arsyetojë krimet e bëra, këtu nuk po gjykohet pavarësia e Kosovës. Që Kosova të ecën përpara, duhet të përballet me disa të vërteta. Ajo që viktimat kërkojnë është pranimi i së keqes që u është bërë atyre. Asnjë prej viktimave nuk ka gjetur përgjigje se pse i janë nënshtruar rrahjeve e dhunës. Është në dorën e Mustafës të ndihmojë në marrjen e përgjigjeve. Si mbrojtëse e viktimave dua të theksojë se ai mund të kontribuojë shumë. Në duar të kujt e kryen vrasjen e një dali. Viktimat

13:02

Pas konsultave, Mustafës i tërhiqet vërejtja për fjalorin

Pas konsultave ka nisur seanca ku po mbahet gjykimi i Mustafës. Gjykatësja ka thënë se i akuzuari është njoftuar në mënyrën e duhur dhe ai duhet të jetë i pranishëm.

Ajo ka thënë se ai në mënyrë vullnetare ka hequr dorë të jetë i pranishëm por trupi gjykues është i një mendimit që prania e të akuzuarit është e nevojshme, por jo edhe në këtë rast.

Gjykata e mban të drejtën e vet në të ardhmen që i akuzuari të detyrohet të qëndrojë në seancë.

Ajo ka kërkuar nga mbrojta e Mustafës që ta informojë atë që nuk do të lejohet “përdorimi i gjuhës pa kurrfarë respekti lidhur me palët dhe pjesëmarrësit tjerë, siç ishte gjuha kur ai përdori kur iu drejtua ZPS-së”, ka thënë gjykatësja.

12:43

Largimi i Mustafës nga salla shtyn trupin gjykues të kërkojë pauzë

Trupi gjykues ka kërkuar një pauzë për konsultim pas largimit të Salih Mustafës nga salla ku po mbahet gjykimi i tij. Kjo pasi mbrojtja e viktimave e ka kundërshtuar mungesën e Salih Mustafës në seancë.

Ajo ka thënë se seanca duhet të zhvillohet në praninë e tij. Sipas saj, është mungesë respekti për viktimat që ai largohet.

Ajo ka thënë se prania e të akuzuarit dje gjykimi i tij është i qartë nga procedurat.

“Mendoj që kjo gjykatë duhet të theksoj që i akuzuari duhet të jetë i pranishëm në mënyrë që të mos bëhet gjykimi i tij në mungesë”, ka thënë ajo.

Mbrojtja e Mustafës ka thënë se ai po përfaqësohet nga një mbrojtës që i mbron interesat e tij.

12:37

Mustafa lëshon sallën, seanca vazhdon

Salih Mustafa ka hequr dorë nga të qenit i pranishëm në seancën e sotme ku po mbahet gjykimi ndaj tij.

Mbrojtja e tij ka thënë se ai do të jetë i pranishëm aty për të ndërkaq gjykatsja ka thënë se nëse trupi gjykues vendos që ai të kthehet, ai do të kthehet.

Prokurori tutje ka shtuar se më mirë do të ishte sikur Mustafa të ishte në seancë.

10:39

Specialja e akuzon Mustafën për krime ndaj shqiptarëve, ai e quan Gestapo

Salih Mustafa, i akuzuari i parë i Gjykatës Speciale, ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për asnjë pikë të aktakuzës për krime ndaj shqiptarëve, siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Madje Dhomave të Specializuara iu referua si Gestapo, emërtimi për Policinë sekrete të Gjermanisë naziste.

“Nuk ndihem fajtor për asnjë akuzë të zyrës së Gestapos”, ka thënë Mustafa.

Pas kësaj, gjykatësja e njoftoi me të drejtat që gëzon, por edhe ia tërhoqi vërejtjen.

Ndërkaq Prokuroria ka thënë se kjo gjykatë është e Kosovës dhe për të mirën e Kosovës dhe viktimave. Ai ka thënë se “jemi këtu me ndihmën e popullit të Kosovës”.

Prokurori Jack Smith ka thënë se “viktimat e Mustafës janë shqiptarë të Kosovës”.

Nga Prokuroria kanë thënë se Mustafa akuzohet për krime ndaj shqiptarëve. Sipas prokurorit Cezary Michalzuk, “krimet janë kryer për tri javë, në një qendër të improvizuar paraburgimi në Zllash”.

“Provat do të tregojnë se personat që u mbajtën paligjshëm në Zllash akuzoheshin se ishin bashkëpunëtorë apo kolaboracionist në luftë. Termi bashkëpunëtor keqpërdorej për persona që kishin shoqëri me serbët, kishin biznes ata apo thjesht që nuk e përkrahnin mjaftueshëm UÇK-në. Do të dëgjoni dëshmi të vetë atyre që u ndaluan. Do të dëgjoni për lëndimet që pësuan... Salih Mustafa ishte përgjegjësi në qendrën e ndalimit, dhe vetë mori pjesë në keqtrajtimet dhe rrahjet”, ka thënë ai.

Prokurori Michalzuk ka thënë po ashtu se “të ndaluarit janë mbajtur në ahur kafshësh, kanë fjetur në dyshime”.

“Viktimat do të ju tregojnë vetë për marrjen në pyetje dhe rrahjet. Ju do të dëgjoni për sjelljet ndaj tyre që shkon deri në nivelin e torturës. Viktimat do të dëshmojnë se mund të dëgjonin kur të tjerët rriheshin. Kur viktimat u liruan nga Zllashi më 19 prill 1999. Njëri nga viktimat nuk u lirua dhe nuk u pa kurrë i gjallë, e me pas u gjet i vdekur në një varrezë të cekët nga familjarët. Trupat e të ndaluarve kishin shenja të dukshme të keqtrajtimit. Krimet janë kryer nga i akuzuari dhe vartësit e tij, në një kompleks të kontrolluar, izoluar, të vogël në Zllash. Ne do të ju kthemi sërish i nderuar gjykatës për ta deklaruar të akuzuarin fajtor”, thuhet tutje në akuzën e tij.

Pas leximit të akuzës, seanca ka hyrë në pauzë.

10:30

Nis gjykimi ndaj Mustafës në Hagë

Ka nisur gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Gjykimi ka nisur me leximin e aktakuzës nga prokuori.

Ky gjykim mbahet kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

08:04

Sot nis gjykimi ndaj Salih Mustafës

Gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të fillojë sot.

Ky është gjykimi i parë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30 dhe pritet të zgjasë deri në ora 17:30, thuhet në kalendarin e publikuar të Dhomave të Specializuara.

Më 12 qershor 2020 u konfirmua aktakuza ndaj tij, ndërkaq arrestimi i tij u bë më 24 shtator. Mustafa ka mohuar aktakuzat ndaj tij.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. \ ksp