3 perditesime
16:15

Lajçak: Dialogu Kosovë – Serbi nuk është teknik, çdo gjë është politike

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk ka dialog teknik, pasi çdo gjë në dialog është shumë politike.

Lajçak ka thënë se ai nuk shikon arsye, por shikon si të zgjidhë problemin.

“Më pëlqen të citojë Nelson Mandelan, që ka thënë ‘gjithmonë mund të duket e pamundur, derisa arrihet’. Unë jam menaxher, e bëjë, kur e shoh problemin shikoj për zgjidhje, e jo arsyetime. Jam në dijeni të gjitha gjërave, zgjedhjeve, prioriteteve të BE-së, por a është arsye për të mos bërë gjë. Sigurisht jo. Unë u them kolegëve nëse ka alternativë më të mirë sesa normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e integrimi i rajonit në BE, atëherë më thuani e do të heqi dorë. Por nuk ka. Nuk na ndihmon asgjë të ulemi e ankohemi”, ka thënë Lajçak në tryezën e organizuar nga European Policy Centre. Dua të them se nuk ka asgjë si dialog teknik, nuk ka çështje teknike. {do gjë është shumë politike. Dëgjova kryenegociatorët në Bruksel, diskutuam për shumë orë gjatë dy ditëve, nuk kishte asnjë gjë teknike, çdo gjë ka ndikim politik. Dialogu është politik”.

Lajçak ka treguar edhe për vizitën që do ta ketë në Kosovë e Serbi këtë javë.

“Do të udhëtojë në mëngjes të mërkurën, tri ditë do të jem në Kosoëv, si pjesë e programit, do të takohem me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me përfaqësues të partive politike. Më pas do të vazhdojë vizitën në Beograd. Është pjesë e vizitave të mia të rregullta në rajon, diskutime me liderë si të shtyjmë procesin para”, ka thënë Lajçak.

Ai ka thënë se palët kanë kërkuar dialogun dhe se duhet të dëshmojnë se janë të gatshme për marrëveshje e për integrim në BE.


Lajçak nuk thotë se njohja është qellim i dialogut

I dërguari i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Gabriel Escobar është shprehur sot në një debat për dialogun Kosovë-Serbi se do të mbështesin përpjekjet e BE-së.

Ai ka thënë se qëllimi i dialogut nuk është vetëm njohja e ndërsjellët por edhe anëtarësimi i të dyja shteteve në BE.

Por i dërguari i posaçëm i BE-së Mirolslav Lajçak nuk ka qenë në gjendje të thotë se njohja është qellim i dialogut.

15:50

Von Cramon: Njohja e ndërsjellë synim i marrëveshjes finale Kosovë - Serbi

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, ka thënë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi i marrëveshjes finale të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Von Cramon në tyrezin e organizuar nga European Policy Center, ka folur edhe për çështjen e pasivizimit të adresave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, si dhe ka folur edhe për zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës që nuk janë liberalizuar vizat.

“Njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi, çdo gjë tjetër do të ishte zhgënjim, mendoj se e kemi bërë këtë të qartë. Shpresoj që kur të vijmë afër fundit të negociatave, të kemi shtet tjetër që e njeh Kosovën e më pas të gjejmë proces kë në fund BE-ja si tërësi do të pajtohet po ashtu”, ka thënë Von Cramon.

Von Cramon: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë është shqetësuese

Sa i përkte pasivizimit të adresave ajo ka thënë se do t’i propozojë emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakut, që ta përcjellë me vëmendje këtë.

“Kam vizituar minoritetin shqiptar në jug të Serbisë, procesin e pasivizimit të adresave. Do t’i thoja z. Lajçak ta mbajë një sy se çfarë po ndodh. Është shqetësim ky zhvillim, e duket se Qeveria e Serbisë dëshiron ta paraqesë më të ulët numrin e shqiptarëve në Serbi e nuk është diçka në interes tonë. Qytetarët shqiptarë atje nuk janë të kënaqur me procesin e dialogut, e po ashtu as serbët në veri të Kosovës. U thash serbëve në veri të bëjnë bashkë forcat e shqiptarëve në jug të Serbisë për të kaluar këtë bllokadë nga qeveritë. Ata thanë se do ta mendojnë këtë”, ka thënë Von-Cramon.

Ajo ka folur për vonesat e procesit të dialogut ndërsa ka thënë se mund të ketë vonesa edhe mëtutje, pasi në Kosovë do të ketë zgjedhje lokale më 17 tetor, e në Serbi pritet të ketë zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm.

“Zgjedhjet në të dy vendet nuk do të bëjnë këtë proces normalizimi më të lehtë. Siç tha z. Lajçak, Kurti ka mandat të fortë për herë të parë, ka shumicën në Kuvend. Por tash kemi zgjedhje lokale të parapara më 17 tetor, e që mund të shtyhen, kjo mund ta shpjegojë pse ka stagnuar procesi. Më pas janë zgjedhjet e radhës në Serbi në prill të vitit të ardhshëm. Shumë varet nga akterët politikë, vullneti politik i tyre. Duke ditur se po shkon një investim i madh atje, me fonde IPA, mendoj se duhet të ketë kushte strikte sa i përket parasë. Sigurisht duam të shohim demokratizim, por duhet të shohim se si mund të përdorim këto fonde për të vendosur presion te krerët politikë”, ka thënë Von-Cramon. “Është e vërtetë që nuk ka fare progres në dialog, është frustim, veçanërisht te gjeneratat e reja, e veçanërisht në Kosovë. Nuk besojnë se ky proces mund të jetë i suksesshëm. Pavarësisht se sa reforma bëhen, sa fort shtyhet shteti drejt reformave, besojnë se nuk do të ketë rezultat, ndërsa bazohen te çështja e liberalizimit të vizave. Përkundër plotësimit të gjitha kritereve e reformave ende nuk janë liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës. Unë u them se këto reforma janë për ju e jo për ne”.


Emini: Me Kurtin dhe Osmanin, dialogu ka drejtim të ri

Drejtuesja e organizatës CiviKos dhe analistja Donika Emini ka deklaruar se me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë drejtim të ri.

Në një tryezë diskutimi online, Emini deklaroi se ndër vite procesi i dialogut ishte i gjatë dhe i mundimshëm, duke shtuar se ka pasur edhe sukseset e tij.

“Nëse shihet nga perspektiva e Kosovës, gjërat kanë ndryshuar. Me Qeverinë e re, kemi një brend të ri të politikës, që nuk e kemi pasur më herët. Ka gjëra që duhet të ndryshojnë, jo vetëm dialogu, por edhe strategjia e Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Emini ka deklaruar se procesi i bisedimeve ka qenë i paqëndrueshëm ndër vite, derisa si fakt ka përmendur zgjedhjet e shpeshta dhe ndërrimin e shpeshtë të qeverive.

“Kanë kaluar disa vjet dhe çdo lloj zgjedhjesh kanë ndikuar shumë në proces. Zgjedhjet kanë pasur ndikim negativ në dinamizimin e procesit të dialogut. E rëndësishme është që kemi një shans të ri. Këtë s’mund ta them për Serbinë, mirëpo nga ana e Kosovës, është një kapitull e ri, që kemi Kurtin, Osmanin dhe Lajçakun. Është mundësi unike që të bëjmë dialog me njerëz të ri.

15:45

Lajçak: Me Kurtin mund të ofrojmë marrëveshje historike të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë në tryezën e organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane se dialogu është i rëndësishme, por edhe i mirë për Kosovës.

Lajçak tregoi disa marrëveshje të arritura në dialog si arsye pse duhet të konsiderohet i rëndësishëm dhe pse duhet të vazhdojë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Kam marrë detyrën e dialogut në vitin 2010, kur asambleja gjeneralë e UNMIK-ut barti përgjegjësin e dialogut te BE-ja. Afrimi i këtyre dy shteteve në integrim evropian, kjo është arsyeja pse BE-ja është në këtë porces. E shohim Kosovën, Serbinë e të gjithë rajonin si anëtar të ardhshëm të BE-së. Dua të kontribuojmë në këtë proces. Gjatë kësaj kohe dialogu ka sjell shumë të mira për përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë e Serbi. Zgjedhjet lokale janë mbajtur edhe në Veri të vendit nga viti 2014. Garancia për lirinë e udhëtimit të kosovarëve me dokumenta nga Kosova drejt Serbisë, qoftë edhe tranzit. Falë dialogut, Kosova është në gjendje të ketë pikë kufitare të përbashkët. Mund të marrë pjesë në ngjarje rajonale si anëtare e plotë. Ka të hyra financiare nga tregtia. Marrëveshje telefonike. Nuk janë të gjitha të arriturat e dialogut, por janë disa që i përgjigjen pyetjes tënde se pse dialogu është i rëndësishëm, por edhe i mirë për Kosovën”, deklaroi Lajçak.

Lajçak tutje shtoi se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë një partner me mandat të fortë, çka mund të sjellë në marrëveshjen historike të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“BE-ja vitin e kaluar ka vendosur një pozicion që të jetë në drejtim të këtij procesi. Ne nisëm procesin me qeverinë e kaluar, por u desh të bënim pushim për shkak të ndryshimeve të brendshme në Kosovë. Dua të them se me kryeministrin Kurti e Qeverinë e tij, ne kemi partner me mandat të fortë që mund të ofrojë marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve. Do ta ndihmonte edhe synimin e qeverisjes së tij në Kosovës për ta forcuar sundimit e ligjit, luftimin e korrupsionit e përmirësojë sistemin e drejtësisë. Çdo gjë që kemi arritur në Ballkanin Perëndimor ka qenë falë bashkëpunimit me SHBA-në. Ne kemi afërsi të ngushtë me administratën e Joe Biden. Do të vazhdojmë me të si me paraardhësit e tij”, vijoi ai.

Lajçak tregoi se zgjerimi i dialogut nuk është në krye të listës së prioriteteve të Bashkimit Evropian, pasi sipas tij, BE-ja duhet të merret me tjera çështje siç është pandemia, BREXIT-i, kriza financiare, migrimi. Sipas Lajçak, kjo gjë i jep më shumë presion anëtarëve pasi duhet të dëshmojnë se a janë apo do të jenë pjesë e zgjidhjes së problemit.

“Që nga viti 2011 mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur disa marrëveshje, disa që po sjellin rezultat, disa janë implementuar pjesërisht, e disa pritet të implementohet. E para është të pajtohemi në tekstin e marrëveshjes së normalizimit, e në paralel t’i adresojmë çështjet e kaluara, e të sigurophemi që implementohen e të zgjidhim çështjet. Njëra ndër është edhe çështja e kadastrës”, deklaroi Lajçak në tryezën me titullin “Dialogu Beograd-Prishtinë: Po kthehemi në rrugën e duhur?”.

15:28

Escobar u premton shteteve të Ballkanit Perëndimor përkrahje drejt BE-së

Zv. ndihmëssekretari i Byros për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë në kuadër të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar, ka deklaruar se politikat e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë rajonit, duhet të shihen si pjesë të BE-së, duke thënë se shumë shtete kanë ndihmuar në momente të caktuara.

“Nga perspektiva jonë janë pjesë e Evropës, historikisht kanë qenë aleate, kanë ndihmuar të shtypin fashizmin. Kanë qenë neutrale në Luftën e Ftohtë, kanë ndihmuar për të mundur ekstremizmin, shumë shtete po ndihmojnë Afganistanin. Kanë ndihmuar Evropën në çështjen e migrimit gjatë konfliktit në Siri. Historikisht kjo pjesë e botës është Evropë, kanë diasporë të madhe që ndihmojnë në Evropë dhe SHBA”, tha ai në një tryezë online të organizuar nga Europian Policy Centre (EPC).

Escobar deklaroi se shtetet anëtarë të BE-së duhet ta kuptojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Evropës, dhe mesazhi duhet të jetë i njëjtë.

“Anëtarësimi në BE sjellë benefite të mëdha. Një nga arritjet më impresive ka qenë zgjerimi i BE-së. Çdo shtet është bërë më demokratik, më stabil e prosperues. Mesazhi për njerëzit e rajonit është të keni zë në këtë komunitet që është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.

Zëvendës ndihmës sekretari i Byros së SHBA-së tha se duhet punuar fort me kolegët evropianë, që t’i bindnin të dyja palët se është e ardhmja e vetme e Ballkanit Perëndimor.

“Do t’i përkrahim tentimet e dialogut për të sjellë Serbinë dhe Kosovën afër BE-së, e të punojmë me rajonin për ta sjellë në BE. Dhe këtu përfshinë ofrimin e sinjalit të fortë për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, që sipas mendimit tim, duhet të inkurajohet më mirë, për të zgjedhur”.

Ai premtoi që administrata e re e BE-së do të përqendrohet në një mesazh konstant “se rajoni duhet të jetë pjesë e BE-së dhe duhet të bëjë reforma për të qenë pjesë”.

Escobar theksoi se është i shqetësuar për mungesën e besimit të publikut në rajon, në mesazhin që zgjerimi i BE-së është i mundur.

“Jam pak i shqetësuar për mënyrën se si duket se nuk ka më tepër përkrahje nga kolegët evropianë që po punojnë në këtë çështje. Shpresoj nën këtë administratë, përkrahje nga shtetet anëtare, të jap mesazh të fortë që zgjerimi është i mundur”.