Arbëri

Një vit nga Marrëveshja e Washingtonit, shumë pika mbesin të pazbatuara

Foto: Reuters

Sot janë bërë një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes së ashtuquajtur për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, në Washington. Shumë pika të kësaj marrëveshje nuk janë zbatuar ende, derisa Kosova i ka shkuar deri në fund vetëm përcaktimit për hapjen e ambasadës në Jerusalem, që kishte qenë kusht për të marrë njohjen nga Izraeli. Derivat i atij dokumenti ka qenë edhe një raport i Fizibilitetit nga Departamenti Amerikan për mënyrën e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, i publikuar para disa javësh. Por, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende një qëndrim përkitazi me këtë marrëveshje.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë para disa ditësh se disa pika të asaj marrëveshje janë problematike për Kosovën, pasi prekin rendin kushtetues.

Në prag të skadimit të marrëveshjes, Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje dërguar “KOHËS” ka inkurajuar palët që ta vazhdojnë moratoriumin që ia ndalon Kosovës aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbisë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës. Qeveria e as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë treguar nëse do të përfillet ky sugjerim i amerikanëve.

Me rastin e një vjetorit të marrëveshjes, nënshkruesi i saj në emër të Kosovës, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka postuar vetëm një flamur të SHBA-së, pa ndonjë mbishkrim.