1 perditesime
11:32

Mbrojtja e Gucatit e Haradinajt shpreson që gjykimi të përfundojë brenda vitit

Mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt po shpreson që gjykimi të përfundojë brenda vitit.

Një deklarim të tillë avokatët Jonathan Elystan Rees dhe Toby Cadman e kanë bërë gjatë konferencës së dytë për përgatitje për gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, ka thënë se për dëshmitaren 1 mund tu duhen deri në shtatë ditë për kundër-pyetje, ndërsa për dëshmitarin 2 pesë ditë.

“Nuk propozoj të bëj deklaratë hapëse pas deklaratës së ZPS-së. Do të shqyrtoj mundësinë e hapjes pasi ZPS të ketë paraqitur hapjen e saj, pasi të jenë thirrur të gjitha dëshmitarët e mbrojtjes dhe të pandehurit”, ka thënë ai.

Tutje, bëri të ditur se një javë do ishte e mjaftueshme sa i takon pjesës së përgatitjes për mbrojtjen, pasi ZPS të ketë paraqitur argumentet e saj. Sipas tij, sa i takon mbrojtjes, synojnë të jenë të pranishëm gjatë gjithë procesit gjyqësor.

“Angazhimet e mia në çështjet e tjera i kam kufizuar sa më shumë që ka qenë e mundur. Do t’i kërkoj trupit gjykues në kohën e përshtatshme të ketë më shumë fleksibilitet apo ndihmë për mua që të përmbush detyrimet e tjera që i kam marr përsipër më parë. Bëhet fjalë për 5-6 ditë, gjatë atyre ditëve zoti Bowden do të jetë këtu gjatë gjithë kohës”, bëri të ditur ai.Jonathan Elystan Rees ka thënë se kanë biseduar edhe me prokurorinë dhe synojnë që çështja të përfundoj brenda këtij viti kalendarik.

Ndërsa avokati Toby Cadman, që mbron të akuzuarin Haradinaj, ka thënë se me avokatin Rees janë konsultuar dhe pozicioni i tyre varet nga puna e prokurorisë.Edhe avokati Cadman ka thënë se Haradinaj shpreson që gjykimi të përfundoj brenda këtij viti.

Nga trupi gjykues u bë e ditur se janë konsultuar me trupin gjykues në çështjen tjetër dhe se sallën e gjyqit do ta kenë në dispozicion për dy javë të plota në fund të tetorit.

Avokati Cadman bëri të ditur se kanë shpresuar që procesi të filloj në fillim të nëntorit, por se nëse ndodh ndonjë ndryshim i përafërt në data nuk ka problem.Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith III ka bërë të ditur se kanë planifikuar që hapja e gjykimit të bëhet më 7 dhe 8 tetor, kurse dëgjimi i provave materiale nga 18 tetori dhe të vazhdohet më pas në fund të tetorit./BetimipërDrejtësi

10:56

ZPS-ja thotë se materialet në paketa ishin konfidenciale, Gucati e Haradinaj nuk ishin në dijeni për këtë

Në konferencën e dytë për përgatitje për gjykim në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, që ka nisur në orën 9:30, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar se materialet në paketa kanë qenë të mbrojtura, konfidenciale.

Mirëpo, mbrojtja e të akuzuarve ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale. Madje, ata thonë se as nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, trupi gjykues ka pyetur mbrojtjen nëse materiali ishte tërësisht apo pjesërisht për publikun, ose për cilat pjesë materiali nuk ishte konfidencial, apo se ZPS nuk vërtetoi se materiali kishte status të tillë.

Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, deklaroi se informacioni fillimisht ka qenë pjesërisht ose tërësisht i njohur për publikun.

“ZPS nuk ka vërtetuar për mendimin tonë statusin e mbrojtur konfidencial ose jo publik të dokumenteve, këtu përfshihet edhe pretendimi jonë se ZPS nuk ka vërtetuar se ky material kishte status të mbrojtur sipas sistemit të zbatueshëm të statusit konfidencial”, ka thënë avokati Rees.

Ndërkaq, avokati i Haradinajt, Toby Cadman tha se në të gjitha fazat kanë mbështetur qëndrimet e mbrojtjes së Gucatit, duke qenë se nuk kanë pasur mundësi të analizojnë atë material dhe nuk janë në gjendje të japin një njoftim më të hollësishëm lidhur me këtë.

“Gjatë të gjitha fazave kemi thënë edhe në procesverbal se ZPS kanë detyrën e provës për të vërtetuar konfidencialitetin ose natyrën jo publike të materialit. Ky është qëndrimi ynë”, ka thënë avokati Cadman.

Nga ZPS u tha se të gjitha që përmenden brenda paketave të materialeve janë material i mbrojtur.

“Çdo gjë që tha mbrojtja dje e vërtetoi se e kanë të qartë se materialet që janë dorëzuar janë konfidenciale. ZPS do të paraqes prova gjatë gjykimit që do të vërtetojnë se materialet e dorëzuara ishin të klasifikuara si konfidenciale. Gjykatësit do të dëgjojnë dëshmi lidhur me pjesë të dokumenteve që ju dërguan mediave dhe mendoj që mbrojtja e Gucatit kur thotë për këtë kundërshtim e ka parasysh mënyrën se si kanë qenë të renditura dokumentet”, është thënë nga ZPS.

Tutje, avokati i Gucatit ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale dhe që nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi