Arbëri

Dyshime për abuzim, çmimet e naftës u rritën për 30 centë krahasuar me vitin e kaluar

Produktet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë muajve të verës në Kosovë. Qytetarët që janë ankuar për rritje të çmimeve kanë ngritur dyshime për abuzime nga ana e kompanive që shesin derivate. Ndërsa, nga Shoqata e Naftëtarëve kanë thënë se çmimet janë bazuar në lëvizjet në bursën ndërkombëtare

Çmimi i naftës ka shënuar rritje të ndjeshme muajve të verës. Derisa një litër naftë vitin e kaluar ka kushtuar rreth 90 centë, gjatë gushtit çmimet janë rritur për 30 centë më shumë, përkatësisht 1 euro e 20 centë për një litër. Në Maqedoninë e Veriut, që ndodhet në kufi me Kosovën, nafta ka çmim prej 1 euro e 2 centësh, apo 62,50 dinarë.

Kjo ka nxitur dyshime në Kosovë për abuzim me çmime të naftës. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës duhet ta hetojë rritjen e çmimeve, kur bursa ndërkombëtare ka një çmim prej 43 centë për litër.

“Si duket edhe kësaj radhe është shfrytëzuar prezenca e madhe e diasporës. Kjo prezencë ka shpenzuar karburante të jashtëzakonshme dhe çmimet kanë qenë tejet të larta. Nëse furnizimi për dizel është 43 centë, ndërsa në shitje është 1 euro e 20 centë, atëherë është çmim i lartë”, ka thënë Mulaj.

Sipas tij, nëse analizohet në aspektin ekonomik, kostoja për një importues shkon rreth 80 centë, ndërsa në shitje deri 120 centë, pra është deri në 40 centë fitimi për një litër.

“Ky është një çmim shumë i lartë kur dihet se pandemia e ka lodhur ekonominë. Karburanti është burim energjie që nuk përdoret vetëm si mjet karburanti, por përdoret edhe për bujkun, edhe për fabrikën dhe shumë veprimtari të tjera prodhuese”, ka pohuar ai.

Bazuar në këtë, Mulaj thotë se do të duhej të bëhej hetim nga Autoriteti i Konkurrencës.

Edhe qytetarët thonë se kanë vërejtur rritje të çmimeve të naftës, por edhe çmimeve të produkteve të tjera në përgjithësi.

“Me krahasu me Anglinë në Kosovë, është më lirë shumë, atje është shumë shtrenjtë. Sivjet pak ma shtrenjtë, ishin rritë edhe këtu çmimet, ndoshta që po vijnë këta mërgimtarët a s’e di, por më doket pak ma shtrenjtë ishin”, ka thënë Ilir Janova, qytetar.

“Me u rritë u rritë çmimi, me kanë me ble deri në 1 euro ish kanë tamam, por tash e kanë ba ka 1 euro e 10, e 1 e 15 deri në 1 e 20”, thotë Qazim Sylejmani, një qytetar tjetër.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se kjo ngritje e çmimeve ka ardhur si shkak i rritjes së bursës ndërkombëtare.

“Sa i përket rritjes së çmimit të naftës dihet se këtë e përcakton bursa dhe organizata prodhuese OPEC. Sa i përket çmimet qytetarët janë duke u shërbyer me çmimin më të lirë në regjion, përveç Maqedonisë që e ka për 22 centë çmimin më të lirë. Në Kosovë çmimi i dizelit është 1 e 11 centë deri në 1 e 20, ndërsa benzina 1 e 15 centë deri në 1.25”, ka theksuar ai.

Ai i krahason çmimet me Shqipërinë dhe, sipas tij, atje janë për 10 centë deri në 30 centë çmimet më të shtrenjta sesa në Kosovë.

Vitin e kaluar, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka marrë vendim që 14 kompani të gjobiten me mbi 4 milionë euro për shkak të manipulimit me çmimet e naftës.

Sektori i naftës konsiderohet një nga sektorët më problematikë. Kjo pasi janë ngritur disa herë dyshime për cilësi të dobët të naftës dhe abuzime me çmime.

Për çështjen e cilësisë, ministrja Rozeta Hajdari ditë më parë ka thënë se gjetjet në treg kanë konstatuar se trupat inspektues privatë nuk kanë pasur parametrat që i ka pasur Dogana dhe si zgjidhje afatshkurtër është vendosur në Doganë.

Por, një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2019 tregon se kontrollet e importeve të derivateve të naftës të kryera nga Dogana nuk kanë arritur të sigurojnë që nafta e importuar plotëson standardet.

Raporti kishte konstatuar se laboratori i Doganës ka kryer kontrolle edhe pa qenë i akredituar.

Edhe ministrja Hajdari e pranon gjendjen jo të mirë në këtë sektor.

“Tregu i naftës ka probleme, duke filluar nga importi, importi i naftës nuk vjen me kualitetin që ne e presim, sidomos importi i naftës industriale, dhe jam e vetëdijshme që përzierja e naftës është në vëmendjen tonë, që ne duhet ta adresojmë këtë problem, por ne nuk mundemi jashtëligjshëm të mbyllim ndonjë rafineri nëse nuk gjejmë gjetje”, kishte thënë Hajdari në një konferencë për media ditë më parë.

Projektligji i ri për naftën është aprovuar në Qeveri në fund të qershorit dhe i është përcjellë Kuvendit për shqyrtim.