Arbëri

Sveçla përplaset me gjykatat e prokurorinë për Krivaqën, i akuzon për dështim

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar publikisht për dështim prokurorinë e shtetit dhe gjykatat në vend, pasi Gjykata Themelore e Ferizajt mohoi një deklaratë të tij se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj nuk ka pasur akuza për 136 vepra penale, por për nëntë.

Dardan Krivaqa dyshohet se ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj Marigona Osmanit deri në vdekjen e saj. Bashkë me Arbër Sejdiun të dielën ata çuan në spitalin e Ferizajt trupin e pajetë të viktimës. Krivaqa fillimisht ishte arratisur deri kur u kap të martën. Për rastin që tronditi vendin, ministri Sveçla ishte shprehur i habitur se përse “një kriminel me 136 vepra është lënë të endet i lirë”. Të enjten, Gjykata Themelore e Ferizajt në një njoftim për media ka thënë se Krivaqa i ka dhjetë lëndë gjithsej, e prej tyre nëntë janë të përfunduara.