Arbëri

Stafi i Infektives refuzon shtesat nga Qeveria, i quan lëmoshë

Descriptive Text

Stafi i Klinikës Infektive, që po përballet me rastet me COVID-19 që nga muaji mars i vitit të kaluar kur u regjistruan rastet e para, ka vendosur t’i refuzojë shtesat që ka ndarë Qeveria Kurti për stafin shëndetësor.

Të mërkurën, Qeveria ndau 2.7 milionë euro për stafin shëndetësor për tre muajt gusht, shtator e tetor. Vendimi ishte që të ndahen shtesa prej 10 për qind të pagës së rregullt bruto, por jo më pak se 60 euro në muaj.

E ky vendim, nga stafi i Klinikës Infektive po konsiderohet denigrues e fyes.

Në një reagim për Ministrinë e Shëndetësisë, personeli i Infektives ka thënë se “s’ka nevojë për lëmoshë, por për përkrahje të duhur dhe të merituar nga Qeveria e Kosovës”.

“Refuzojmë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe nën betimin e Hipokratit, do të vazhdojmë të luftojmë kundër COVID-19 me të gjitha forcat tona sepse pacienti ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shenjtë”, thuhet në reagim.

Kundër këtij vendimi të mërkurën doli edhe Federata e Sindikatave Shëndetësore të vendit.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 117 pacientë me COVID-19.