1 perditesime
14:21

Qeveria kërkon dënim maksimal për personat e përfshirë në vrasjen e 18-vjeçares

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë shumë të shqetësuar për vrasjen e 18-vjeçares.

Ajo ka thënë se janë të vëmendshëm ndaj situatës por edhe të vetëdijshëm për situatën që po kalojnë.

Haxhiu ka thënë se për shkak të mentalitetit patriarkal burrat mendojnë që janë pronar të trupit të gruas.

“Si ministri e Drejtësisë kemi përgjegjësi koordinimin institucion në raport me rastet e dhunës në familje. Ne kemi themeluar grupin ndërministror dhe është funksional si asnjëherë më parë. Ne kemi nisur një fushatë për të raportuar dhunën në familje. Ne ishim edhe në protestë, kjo për të treguar se do të japim angazhimin tonë si Qeveri në adresimin e këtyre rasteve. Në si qeveri kërkojmë dënim maksimal për personat që kanë bërë këtë krim”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se kanë arritur ta finalizojnë draftin e kodit të procedurës penale.

“Gjykimi në mungesë do të lejohet për të gjitha veprat penale dhe askush nuk do të ketë mundësi t’i shmanget drejtësisë, personat që do të akuzohen për raste e korrupsionit etj do të suspendohen nga detyra”, ka thënë ajo.

14:15

Sveçla: Inspektorati i PK-së do të inspektojë zyrtarët që merren me dhunën në familje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në korrikun e vitit të kaluar kishte vrasje makabre të gruas në Kamenicë, dhe i njëjti kishte dosje të dhunës që kishte ushtruar ndaj saj.

Sipas tij, shumica e grave që janë vrarë kanë raportuar dhunën paraprakisht.

Një vit pas ngjarjes në Kamenicë, ai thotë se vendi u përball me vrasjen e 18-vjeëares nga një person që kishte vepra të ndryshme kriminale.

“Sapo jam njoftuar për ngjarjen kam kërkuar hetim të thellë lidhur me rastin. Para varrimit të Marigonës kam kërkuar detaje për secilën vepër penale të të dyshuarve. Për rastin në fjalë jemi në pritje të caktimit të dënimit të merituar. Është fakt që personat e tillë kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, janë krijuar banda e klane që nuk iu ka interesuar jeta e qytetarëve. Kjo ka ndodhur në 20 vjetet e fundit por nuk do të ndodhë më. Nuk do të ketë më ndërhyrje nga lartë në drejtësi por këmbëngulje në kërkim të saj. Marrë shkas nga rasti i fundit kam kërkuar krijimin e grupit për hetimin e të kaluarës se kriminelëve të përfshirë në rast, si dhe nga Inspektorati i PK-së të fillojë inspektim mbi trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga zyrtarët e Policisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se zyrtarët do të ndëshkohen nëse mungon puna e tyre kur thirrjet adresohen.