Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 160 emra që kandidojnë qoftë për kryetar komune apo për asamble komune, kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës sipas së cilit janë shpallur fajtor për një vepër penale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për media ka thënë se 30 subjekte politike nuk janë në pajtueshmëri me Ligjin për Zgjedhjet.
"Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. Elezi ka thënë se lidhur me këtë nuk mund të bëjë të ditur emra të këtyre kandidatëve", tha ai.
Sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikim ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati. KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim, më së largu deri më 1 shtator. Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Të gjitha këto çështje, njoftoi Elezi, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator, që do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator.
160 kandidatët janë qoftë kandidatë komunash apo për kuvende komunale nga 30 subjekte politike.