Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Berdyna në një konferencë për media, tha se janë duke bërë përgatitjet që mësimi të fillojë më 1 shtator në objektet shkollore, ashtu siç është paraparë.
Maloku-Berdyna ka treguar se në dy javët e fundit është dyfishuar numri i atyre që kanë marrë vaksinën nga personeli arsimor.
“Na ndajnë edhe pak para fillimit të vitit të ri shkollor, ku jemi duke bërë përgatitjet që mësimi të fillojë në kohë dhe me datën 1 shtator, gjithmonë me masat dhe kontrollimin e shkollave dhe që vaksinimi të jetë në nivel”.
“Numri i personelit arsimor të vaksinuar bashkë me stafin e arsimit të lartë dhe studentët është 55.094. krahasuar me dy javë më parë, ku totali ka qenë 29.878, tani kemi 55094. Kemi dyfishim të vaksinuarve gjatë dy javëve”, ka thënë ajo.
Ajo foli edhe për testin e maturës, për të cilin tha se do të mbahet më 28 gusht, derisa shtoi se presin që në total numri i kandidatëve të jetë rreth 8 mijë maturantë.
“Testi planifikohet të organizohet në rreth 65 qendra të testimit, por kjo varet edhe nga numri i nxënësve që do të paraqesin provimin si dhe nga përgatitjet e komunave... Rezultatet e provimit do të shpallen më 8 shtator. Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, siç ka qenë procedura më herët, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës”, theksoi ajo.
Maloku – Berdyna gjatë kësaj konference tha se janë ndarë 1 milion euro për 1 mijë studente të fushave ‘stand’, që do të regjistrohen në vitin akademik 2021-2022, nivelin bachelor,.
Ajo theksoi se janë përzgjedhur për mbështetje financiare 16 studentë që do të studiojnë jashtë vendit, e që do të marrin nga 6 mijë e 500 euro.