Arbëri

KQZ-ja në proces të verifikimit të kandidatëve, grupi i parë i dërgohet KGJK-së

KQZ

Periudha e verifikimit të dokumentacionit të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 16 tetorit ka nxjerrë problemet që kanë disa prej tyre. Rrjedhje të dokumenteve nga ana e KQZ-së ka pasur për kandidatët e LDK-së, përfshirë pretendentin për të parin e Prishtinës, Përparim Rama, për të cilin u raportua se ka aplikuar me dokumentacion të UNMIK-ut. Zyrtarë të LDK-së e kanë quajtur gabim teknik të KQZ-së, teksa Rama ka prezantuar letërnjoftimin e Kosovës, me të cilin është pajisur në qershor të këtij viti. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se nxjerrja e informatave gjysmake për kandidatët gjatë procesit të certifikimit, përveç shkeljes ligjore, mund të dëmtojë imazhin e kandidatëve dhe të ndikojë në orientimin politik të votuesve. KOHA ka mësuar se grupi i parë me listat e kandidatëve i është dërguar edhe Këshillit Gjyqësor (KGJK) për t’u verifikuar nëse kanë probleme me drejtësinë, gjë e cila do t’ua pamundësonte garën

Procesi i verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet ka shpërfaqur problemet me dokumentacion të disa prej tyre. Nga rrjedhja e dokumentacionit të Komisionit Qendror Zgjedhor u raportua se kandidati i Lidhjes Demokratike për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka aplikuar me dokument jo të vlefshëm, atë të UNMIK-ut. Por gjatë ditës zyrtarë të LDK-së dhe vetë Rama paraqitën dokumentin e identifikimit me të cilin del se është pajisur në qershor të këtij viti.

Ka reaguar edhe anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, duke thënë se ka qenë lëshim teknik i këtij institucioni. Sipas tij, në këtë fazë, lëshimet, sidomos ato teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës janë të mundshme, prandaj ekzistojnë periudha dhe mundësia për evitimin e tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht Zyra për Regjistrim e Certifikim, është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike e kandidatëve për certifikim. Kjo është fazë e shqyrtimit, më pas do të pasojë vendimi përfundimtar i KQZ-së për certifikim. Në këtë fazë, lëshimet, sidomos ato teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës janë të mundshme, prandaj ekzistojnë periudha dhe mundësia për evitimin e tyre”, ka shkruar Dushi.

“Madje, në këtë rast, lëshimi ka ndodhur pa fajin e kandidatit Përparim Rama, i cili, ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, është i lindur dhe i rritur në Prishtinë, posedon dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe plotëson të gjitha kushtet ligjore për t'u certifikuar si kandidat për kryetar të Prishtinës”.

Mbështetur në aplikacionin që ka pranuar Zyra për regjistrimin e partive politike edhe një kandidate tjetër e LDK-së ka probleme me dokumentacion. Sipas kësaj zyre, Sibel Halimi nuk është banore e Komunës së Ferizajt, ku edhe është kandidate për kryetare.

Ndërkaq Halimi ka postuar të enjten një fotografi në rrjete sociale bashkë me Ramën me shkrimin; “Sa herë po qëllojmë bashkë, po na sulmojnë. E ne, veç po forcohemi e po buzëqeshim! Nga 17 tetori, Prishtina e Ferizaj do të jenë n'duar t'sigurta”.

KOHA nuk ka arritur të enjten të sigurojë aplikacionet dhe rekomandimet e zyrës edhe për partitë e tjera. KOHA ka mësuar se grupi i parë me listat e kandidatëve i është dërguar edhe Këshillit Gjyqësor (KGJK) për t’u verifikuar nëse kanë probleme me drejtësinë, gjë e cila do t’ua pamundësonte garën.

Rrjedhjen e tyre në periudhën kur duhet verifikuar kandidatët, koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim” e ka kualifikuar si shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Rrjedhja e informacioneve konfidenciale për kandidatët gjatë procesit të certifikimit, para përmbylljes së tij përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës përkatëse zgjedhore. Në nenin 30, respektivisht 8, përcaktohet qartazi se Zyra duhet t'i mbajë konfidenciale të gjitha të dhënat mbi kandidatët, derisa të njëjtit nuk certifikohen nga KQZ-ja”, thuhet në reagimin e “Demokracisë në Veprim”.

Sipas tyre, nxjerrja e informacioneve të tilla, “të cilat mund të jenë gjysmake apo të pasakta, mund të dëmtojë imazhin e kandidatëve dhe mund të ndikojë në perceptimin dhe orientimin politik të votuesve”.

“Prandaj Demokracia në Veprim (DnV) kërkon nga KQZ-ja, por edhe nga subjektet politike të garantojnë sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave deri në vendimin për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, në mënyrë që këto të dhëna të mos keqpërdoren për përfitime politike apo për të dëmtuar kandidatë apo subjekte të caktuara”, përfundon reagimi i tyre.

Ndërkaq zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se deri më 21 gusht është faza kur partitë mund t’i bëjnë korrigjimet dhe përmirësimet lidhur me dokumentacionin.

“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e japin Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra”, ka thënë Elezi.

KQZ-ja do ta bëjë verifikimin e kandidatëve edhe në institucionet e tjera, përfshirë ato të sigurisë dhe gjyqësore deri më datë 23 gusht.

KOHA ka mësuar se grupi i parë me listat e kandidatëve i është dërguar edhe Këshillit Gjyqësor (KGJK) për t’u verifikuar nëse kanë probleme me drejtësinë, gjë e cila do t’ua pamundësonte garën.

Lista me emrat e plotë të kandidatëve pastaj duhet të miratohet nga anëtarët e KQZ-së.

Përfundon periudha e aplikimit për votuesit jashtë vendit

Të mërkurën në mbrëmje ka përfunduar periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Megjithatë, ende nuk dihet numri i atyre që kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se aktualisht, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë futjen e të dhënave në sistem dhe regjistrimin e të gjitha aplikimeve. Pas kësaj, do të paraqitet një raport i detajuar se sa është numri i aplikimeve dhe sa prej tyre janë aprovuar e sa janë refuzuar për shkak se nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.