Anëtari i LDK-së në KQZ Florian Dushi ka reaguar pas raportimeve se kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i është refuzuar aplikimi në KQZ për shkak se ka aplikuar me letërnjoftim të UNMIK-ut.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se në fazën e certifikimit të kandidatëve ndodhin edhe lëshime teknike, e sipas tij, ky është lëshim teknik i KQZ-së.
Dushi ka shtuar se lëshimi ka ndodhur pa fajin e Ramës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkatësisht Zyra për Regjistrim e Certifikim, është në fazën e shqyrtimit të kërkesave të subjekteve politike e kandidatëve për certifikim. Kjo është fazë e shqyrtimit, më pas do të pasojë vendimi përfundimtar i KQZ-së për certifikim. Në këtë fazë, lëshimet, sidomos ato teknike gjatë shqyrtimit nga ana e Zyrës janë të mundshme prandaj ekziston periudha dhe mundësia për evitimin e tyre. Madje, në këtë rast, lëshimi ka ndodhur pa fajin e kandidatit Përparim Rama i cili, ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, është i lindur dhe i rritur në Prishtinë, posedon dokumentacion të Republikës së Kosovës dhe plotëson të gjitha kushtet ligjore për t'u certifikuar si kandidat për Kryetar të Prishtinës”, ka shkruar ai.
KOHA ka kontaktuar edhe KQZ-në lidhur me rastin e cila ka thënë se duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë.
Edhe
KQZ-ja në proces të verifikimit të kandidatëve, grupi i parë i dërgohet KGJK-së
Kjo, sipas KQZ-së, është një mundësi që e jep ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra.
“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet. Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati”, ka thënë ai.