Peja dhe Prizreni janë komunat me më së shumti kandidatë për kryetarë, në zgjedhjet e 17 tetorit, sipas aplikimeve të deritashme, ka bërë të ditur Ylli Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të partive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, të dhënat e deritashme tregojnë se të paktën tri komuna nuk do të kenë nevojë për balotazh sepse kanë nga vetëm dy kandidatë për kryetarë.
Në mbledhjen e KQZ-së ai ka thënë se Vitia, Hani i Elezit dhe Ranilluk kanë vetëm nga dy kandidatë për kryetarë, duke bërë kështu që këto komuna të mos kenë nevojë fare për raundin e dytë të votimit, apo balotazhin.
Deri tash kanë aplikuar 94 subjekte politike e janë 26 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash. Në Pejë e Prizren janë nga 14 subjekte politike në garë.
Në mbledhjen e KQZ-së, po ashtu është bërë e ditur se janë bërë 10 mijë e 638 aplikacione për regjistrim të votuesve nga jashtë dhe prej tyre 9652 janë miratuar.
2670 është shifra e kërkesave për ndërrim të qendrave të votimit në mënyrë online dhe 300 kërkesa janë bërë nëpërmjet formularëve.
Sekretariati edhe sot do të vazhdojë pranimin e aplikacioneve deri në mesnatë në orën 24:00, ka thënë ai.