Arbëri

Shifrat në rritje, MSH-ja pritet ta ndërrojë ministrin e sekretarin

Për të katërtën ditë radhazi, numri i rasteve të reja me COVID 19 është mbi 1000. Brenda 24 orëve, katër qytetarë të prekur me COVID 19 kanë vdekur.

Të dielën sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë regjistruar 1096 raste të reja, ani pse janë kryer rreth 1300 testime më pak se në ditën paraprake.

Por një gjë e tillë nuk po vërehet në Kosovë. Ndonëse në të dhënat ditore Policia e Kosovës ka njoftuar është rritur numri i gjobave të shqiptuara, gjatë ditës një gjë e tillë nuk është reflektuar në rrugët e Prishtinës.

Janë të rrallë qytetarët që bartin maska, e as policë nuk shihen në rrugë, ani pse maska është obligative gjatë qëndrimit në hapësira të përbashkëta.

Me rritje të shpejtë të numrit të rasteve, Kosova ka kaluar shumicën e vendeve të rajonit.

Një analizë e faqes Statisa, e bërë publike më 13 gusht, Kosovën e ka radhitur të 13-n në Evropë sa i përket numrit të rasteve. Mesatarja e Kosovës gjatë kësaj periudhe shtatëditore, është 201.3 raste të reja pozitive për 100 mijë banorë. Mali i Zi është para Kosova, por vendet e tjera të rajonit qëndrojnë më mirë me shifra.

Prapa Kosovës në listë janë vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut me mesatare 143.6 raste të reja pozitive, më pas Serbia me 72.6 raste, Sllovenia me 52.7 raste, Shqipëria me 46.3 raste e Kroacia me 38.2 raste.

Në kohën kur trendi i rritjes së shifrave po vazhdon, Qeveria nuk ka ndonjë plan konkret se si të ulen rastet. Ministria e Shëndetësisë ende nuk dihet se nga kush do të udhëhiqet, por kërkesa të shumta ka që ministri aktual Arben Vitia ta lirojë këtë pozitë sa me shpejt pas përcaktimit që t’i futet garës për kryetar të Prishtinës.

Përfaqësuesi i Shoqatës se Pacientëve, Besim Kodra, ka thënë që Vitia do të duhej të largohej nga ajo pozitë qysh nga e hëna.

“Për mua është e papranueshme që ministri me vazhdu me qenë në detyrë kur ne veç i dimë synimet e tij. Aq ma tepër jemi në një situatë kur numrat vazhdimisht janë duke u rritur dhe ministri mendoj që duhet të lirojë vendin për shkak që kemi nevojë më për një ministër që mendon përtej një mandati”, tha Kodra.

As Vitia e as Qeveria e Kosovës nuk kanë pranuar të flasin se kur pritet të emërohet ministri i ri i këtij dikasteri.

Përveç ministrit Vitia, njeri i dytë i rëndësishëm i MSh-së në kuptimin e kompetencave do të largohet nga ky institucion. Sekretari Naim Bardiqi ka vetëm edhe një javë mandat, e kjo sipas Kodrës, do të ndikojë të humbë memoria institucionale në përballje për pandeminë, ani pse ai ka pasur ankesa se si është menaxhuar ky proces.

“Këtu i është dhënë përparësi shëndetit ekonomik. Edhe tani ndërmarrja e masave të reja prapë mendoj që i është dhënë përparësi ekonomisë në raport me shëndetin publik”, tha Kodra.

Shifrat me raste pozitive në Kosovë kanë filluar të rriten dukshëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, ndërsa nga IKSHPK-ja është thënë se dominues në Kosovë tash është varianti Delta i koronavirusit, një variant shumë më përhapës dhe që po i prek edhe moshat e reja. Madje për variantin Delta sipas hulumtimeve, është thënë se është ngjitës gati sa lija e ujit.