Arbëri

Kurtit i kërkohet që sa më shpejt ta lirojë nga detyra Vitinë

Kandidimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit, ka bërë që atij t’i kërkohet dorëheqja e menjëhershme nga posti i ministrit, në një kohë kur vendi po përballet me shifra rekorde të rasteve të reja me COVID-19.

Analisti politik dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka thënë se Vitia nuk mund të ushtrojë funksionin e ministrit dhe të merret me përgatitje për fushatë në të njëjtën kohë.

“1. Menaxhimi i pandemisë kërkon ministër shëndetësie me orar të plotë e me përkushtim maksimal. 2. Kandidimi për kryetar komune, po ashtu, është detyrë me orar të plotë e kërkon përkushtim maksimal për parapërgatitje e për fushatë zgjedhore. 3. Rrjedhimisht, nëse LVV përfundimisht ka vendosur që ministri i shëndetësisë Arben Vitia të kandidojë për Kryetar të Komunës së Prishtinës, atëherë Kryeministri Kurti duhet që sa më parë ta lirojë Arben Vitinë nga pozita e ministrit të shëndetësisë dhe ta emërojë ministrin e ri, sepse Arben Vitia e ka të pamundur që t'i kryej si duhet këto dy detyra në të njëjtën kohë”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën kur edhe VV-ja zyrtarizoi Vitinë kandidat për kryetar të Prishtinës.

Për kandidimin e tij për garën lokale kritika ka pasur edhe opozita. Sipas partive opozitare, është shqetësuese që në këtë kohë kur situata epidemiologjike me COVID-19 është përkeqësuar, Vitia ka zgjedhur ta braktisë Ministrinë e Shëndetësisë. Ata thonë se Lëvizja Vetëvendosje, me dashje, po ndërpret qeverisjen në kohë pandemie, për të cilin veprim i kishte kritikuar ashpër PDK-në, LDK-në e AAK-në kur votuan mocionin e mosbesimit.

Kritikave u është përgjigjur Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se me sigurimin e vaksinave kanë siguruar armën më të fortë kundër COVID-19 e rrjedhimisht, sipas tyre, janë pjekur kushtet që të lëshohen në beteja të tjera përpos pandemisë.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Vitia, por ai ka qenë i paqasshëm të shtunën.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.