Arbëri

MSH: Në Kosovë mund të bëhet kombinimi i vaksinave anti-COVID

Ministria e Shëndetësisë në një reagim të enjten ka thënë se në Kosovë që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19 ka qenë i lejuar kombinimi i vaksinave.

Në vend jepen vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer. Disa studime kanë ofruar rezultate se kombinimi i dyjave ofron nivel të lartë të imunitetit ndaj virusit.

Pas raportimeve se në Kosovë një gjë e tillë është e ndaluar, MSH-ja në mbrëmje ka thënë se qytetarët kanë mundësi të zgjedhin llojin e vaksinës që duan të marrin, qoftë si dozë të parë, qoftë si dozë të dytë.

“Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech. Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas”, thuhet në njoftim të MSH-së.

Të enjten, në vend u thye rekordi i vaksinimeve ditore me mbi 19 mijë sosh të administruara vetëm sot. Ky rekord u shënua në ditën kur u regjistruan plot 1009 raste pozitive me COVID-19.